Maqedoni

Tubim i Vetëvendosjes në Tetovë, Haxhiu dhe Kasami kërkuan votën për LVV-në

31.05.2026 14:09

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 7 Qershorit në Kosovë...

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 7 Qershorit në Kosovë, me një tubim edhe në qytetin e Tetovës. Me këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit edhe kandidate për deputete Albulena Haxhiu, ka kërkuar votën e tetovarëve dhe të gjithë shqiptarëve në Maqedoni të cilët kanë edhe të drejtë vote në Kosovë, që më 7 qershor ta votojnë Vetëvendosjen. Me këtë rast Haxhiu ka përmendur edhe bashkëpunimin e Kosovës me Maqedoninë e Veriut, përfshi nënshkrimin e disa marrëveshjeve me rëndësi për qytetarët e dy vendeve, siç është rruga Shkup-Bllacë, apo ajo Prizren-Tetovë.

“Sot sistemi “One stop shop” më është realitet, qytetarët kalojnë më shpejtë kufirin, pritjet janë ulur dhe lëvizja është bërë më e lehtë. Gjithashtu së shpejti pritet të nisin punimet në rrugën Bllacë-Shkup e cila do të rritet edhe me Koridorin 8, një projekt i një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin. Po ashtu rruga Prizren-Tetovë nuk është më vetëm një ide, janë ndarë pjetet për projektimin e trasesë, ndërsa pritet që së shpejti të shpallet tenderi për projektim. Rruga dhe tuneli do të realizohen sepse është zotim i dy qeverive tona, dhe po bëhen përpjekje nga dy shtetet që ky projekt i rëndësishëm të jetësohet sa më parë. Po ndërtojmë edhe lidhje energjetike. Në maj të vitit të kaluar kanë nisur punimet për ndërtimin e linjës strategjike të inter-konektorit Tetovë-Prizren 400 kilovat, një projekt që do të përforcojë pavarësinë energjetike të ty vendeve tona.”, u shpreh kandidatja e LVV-së për deputete, Albulena Haxhiu. 
 
Haxhiu njëherit e vlerësoi bashkimin e partive të koalicionit VLEN në një parti. Ndërsa njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet VLEN dhe Vetëvendosjes është bashkim vlerash, prandaj ftoi tetovarët që kanë të drejtë vote në Kosovë ta votojnë Vetëvendosjen.
 
“Ju ftoj edhe juve të dashur tetovarë që keni të drejtë vote në Kosovë, e di se jeni shumë në numër, por edhe më shumë janë ata që kanë familje e miq në Kosovë, të angazhohemi këto 7 ditë të mbetura të flasim me secilin, ta përkrahim zhvillimin e Kosovës, forcimin e republikës, shtrirjen e sovranitetit në çdo pëllëmbë të territorit të sajë.”, theksoi lideri i VLEN-it, Bilall Kasami.
 
Për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje që fushatën e ka shtrirë edhe jashtë Kosovës, partitë tjera politike pjesëmarrëse në zgjedhje PDK, LDK, Aleanca dhe PSD kanë vazhduar fushatën në qytete të ndryshme brenda Republikës së Kosovës, duke kërkuar votën për partitë e tyre dhe programin që ato ofrojnë. 
 
FLORIJE KAMBERI