Maqedoni

Integrimi i vendit, VMRO e prerë: Pa garanca nga BE, s’ka ndryshime kushtetuese

31.05.2026 14:29

VMRO-DPMNE vazhdon të përforcojë retorikën se vendi nuk do të zbatojë ndryshimet kushtetuese pa garanca nga BE-ja....

VMRO-DPMNE vazhdon të përforcojë retorikën se vendi nuk do të zbatojë ndryshimet kushtetuese pa garanca nga BE-ja. Ndërkohë, porosisin kreun e LSDM-së Filipçe që t’ia përcjellë siç thonë, presidentit të tij bullgar pritshmëritë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Gjithashtu akuzojnë socialdemokratët për politika të gabuara, e për të cilat sipas VMRO-së, u pagua një çmim shumë i lartë me ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit.
 
“Këtë herë nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta, të forta dhe me shkrim në formën e konkluzioneve të BE-së. Me qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nuk do të ketë më shantazhe dhe diktate si ato që janë pranuar deri tani. Maqedonia dhe qytetarët nuk kanë të drejtë të mashtrohen përsëri. Nuk do të bëhen më lëshime pa garanci, pa mbrojtje të interesave kombëtare dhe pa siguri se ato lëshime do të nënkuptojnë vërtet përparim në procesin e integrimit evropian. Prandaj, i dërguari special bullgar Venko Filipçe le t’ia përcjellë Radevit se, derisa të shohim përmbushje të obligimeve nga ana e tyre, Maqedonia nuk do të lëvizë as edhe një milimetër nga politika e saj.”, u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM ripërsërit: S’ka rrezik nga Bullgaria, duhet referendum
 
Ndërkohë, kreu i LSDM-së Filipçe insiston se ndryshimet kushtetuese nuk kërcënojnë vlerat kombëtare maqedonase. Vazhdon me thirrjet për referendum për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
“I frikëson qytetarët se kërcënohet gjuha, identiteti apo nuk e di ndonjë përcaktim tjetër i popullit maqedonas, me qëllim që të mos bëhet hapi i cili nuk sjellë asnjë lloj rreziku, e ato janë ndryshimet kushtetuese. Kështu që, çështjet bilaterale me cilindo shtet anëtare të BE-së nuk janë pjesë e kornizës sonë negociuese dhe këtë qytetarët duhet ta dinë. Çështjet bilaterale zgjidhen në mënyrë bilaterale dhe nuk mund të ndikojnë në hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Njëjtë sikur që kanë vepruar vendet tjera që janë bashkangjitur BE-së.”, u shpreh kryetari i LSDM-së Venko Filipçe.
 
Kreu i socialdemokratëve konsideron se VMRO erdhi në pushtet me propagandë të stimuluar dhe të financuar nga vende të tjera. Po ashtu u thotë gënjeshtarë pasi që u zotuan për kthimin e emrit të shteti dhe anulimin e Marrëveshjes së Prespës, e në realitet asgjë nga premtimet e tyre.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU