Botë
Trump: Irani ka hequr dorë nga armët bërthamore
31.05.2026 14:47
Irani është zotuar se nuk do të zhvillojë dhe nuk do të blejë armë bërthamore...

Irani është zotuar se nuk do të zhvillojë dhe nuk do të blejë armë bërthamore, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump. Kjo bën që Shtetet e Bashkuara dhe Irani ti afrohen gjithnjë e më shumë një marrëveshjeje, pasi programi bërthamorë Iranian ishte edhe pika kryesore e mosmarrveshjeve. Por presidenti Trump thotë se është i gatshëm të ndjekë një qasje më të ngadaltë në negociata, pavarësisht shqetësimeve për ndikimet ekonomike të luftës dhe çmimet e larta të energjenseve.
“E vetmja garanci që më duhet është që ata të mos kenë armë bërthamore. Ata ranë dakord për këtë dhe kjo ishte interesante. Në fillim thanë: ‘Nuk do të zhvillojmë armë bërthamore’. Unë thashë: ‘Po çfarë do të ndodhte nëse do të blinit armë bërthamore?’ Tani ata thonë: ‘Nuk do të zhvillojmë dhe nuk do të blejmë armë në asnjë mënyrë’. Ngadalë, por me siguri po marrim atë që duam. Kërkon kohë, por nuk jam me nxitim. Nëse nxitojmë, nuk do të arrijmë një marrëveshje të mirë. Ngadalë, por me siguri po marrim atë që duam. Nëse nuk marrim atë që duam, do ta përfundojmë në një mënyrë tjetër. Irani është në një pozitë shumë të keqe. Ata nuk kanë ushtri. Gjithçka që kanë është aftësia për të folur dhe një shtyp të rremë. E dini, lajmet e rreme janë ndoshta arma e tyre më e fortë.”, u shpreh presidenti amerikan Donald Trump.
Lindja e Mesme, ushtria izraelite vazhdon sulmet në Iran
Ndërkohë Ushtria izraelite ka njoftuar se ka marrë nën kontroll një mal strategjikisht të rëndësishëm në jug të Libanit, ku ndodhet Kalaja e Bofortit. Kjo përfaqëson depërtimin më të thellë në territorin libanez në më shumë se një çerek shekulli. Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Ben Gvir, kërkoi rrafshimin e zonave në jug të Libanit të cilat konsiderohen si bastione të Hezbollahut.
“Boforti është një shembull i qartë i infrastrukturës terroriste të ngritur me sponsorizim iranian dhe ne po punojmë për ta shkatërruar këtë infrastrukturë, nga e cila janë kryer qindra sulme kundër komuniteteve në veri.”, tha Ella Vaveja, zëdhënëse e mbrojtjes e Izraelit.
Ndërkohë në reagimet e Libanit thuhet se Izraeli po shkelë integritetin territorial dhe sovranitetin e Libanit, ndërsa këto sulme janë dëshmi se negociatat e drejtpërdrejta të ndërmjetësuara nga SHBA-të nuk garantojnë rezultate.
“Ajo që po bën Izraeli nuk është vetëm shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit, por edhe një përpjekje për të zhdukur kujtesën e vendit dhe për të fshirë historinë e popullit të tij. Izraeli duhet ta dijë se me politikat e tij nuk do të arrijë as siguri dhe as stabilitet. Përkundrazi, po e thellon hendekun me popullin libanez dhe po lë plagë të reja e të thella në kujtesën e tyre kolektive.”, u shpreh kryeministri i Libanit, Navaf Salam.
Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, drafti i marrëveshjes është dakordësuar në parim nga negociatorët kryesorë të të dy palëve, por miratimi final nga udhëheqja iraniane, përkatësisht nga Mojtaba Khamenei, ende nuk është dhënë. Drafti i diskutuar përfshin ndalimin e armiqësive, një periudhë 60-ditore negociatash për një marrëveshje përfundimtare, si dhe lehtësime të mundshme ekonomike për Iranin, përfshirë lirimin e aseteve të ngrira dhe heqjen graduale të sanksioneve. Gjithashtu parashikohet rifillimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe krijimi i një fondi ndërkombëtar për rindërtim pas konflikteve. Ekspertët paralajmërojnë se zvarritja e marrëveshjes rrit rrezikun e keqkuptimeve diplomatike dhe mund të çojë në përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht në zonat e ndjeshme si Libani dhe Ngushtica e Hormuzit, ku përplasjet gjeopolitike mbeten të forta.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
