Maqedoni

PRSD mban kongresin e shtatë, Misovski me kritika ndaj Qeverisë

31.05.2026 15:10

Partia e Re Socialdemokrate mbajti Kongresin e Shtatë, në të cilin zgjidhi organet drejtuese të partisë...

Partia e Re Socialdemokrate mbajti Kongresin e Shtatë, në të cilin zgjidhi organet drejtuese të partisë, përfshirë kryetarin, anëtarët e Këshillit Qendror dhe të Këshillit Mbikëqyrës. Duke iu drejtuar delegatëve dhe mysafirëve, kryetari i PRSD-së, Goran Misovski i cili ishte edhe kandidat i vetëm për tu rizgjedhur në këtë post, tha se patriotizmi nuk matet me fjalë të mëdha dhe parulla, por me krijimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët dhe me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Identiteti maqedonas mbrohet me shtet të fortë, arsim cilësor, kulturë dhe ekonomi të zhvilluar.
 
“Sot është më e lehtë të flitet me fjalë të mëdha patriotike dhe të krijohet përshtypja se dikush, dhe vetëm ai, e mbron Maqedoninë. Patriotizmi nuk është të bërtasësh me zë, patriotizmi është të sigurosh të ardhme. Patriotizmi i vërtetë nuk është ta mbash Maqedoninë jashtë Evropës, por ta bësh pjesë të saj. Zgjidhjen, të nderuar miq të VMRO-DPMNE-së dhe i nderuar kryeministër Mickoski, e keni në tavolinë.. Identiteti maqedonas nuk mbrohet me parulla dhe deklarata patetike në konferenca për shtyp, por me një shtet të fortë, me arsim, kulturë dhe ekonomi të zhvilluar. Rreziku më i madh për identitetin nuk është Evropa, rreziku më i madh është kur të rinjtë largohen, kur institucionet dështojnë dhe kur shteti stagnon.”, u shpreh kryetari i PRSD-së, Goran Misovski.
 
Ai kritikoi qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke thënë se në vend të zgjidhjeve ofron konflikte dhe ndarje. Sipas tij, premtimet për disiplinë financiare, stabilitet ekonomik, drejtësi dhe reforma nuk janë realizuar. Misovski tha se çmimet vazhdojnë të rriten, ndërsa pagat nuk e ndjekin koston e jetesës. Ai theksoi se borxhi publik i vendit ka tejkaluar 11 miliardë euro, ose mbi 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në pjesën e punës së Kongresit shqyrtohet raporti për punën e partisë për periudhën 2022–2026, si dhe Deklarata për mbrojtjen e punës, Deklarata për uljen e punës së pasigurt dhe marrëdhënieve të pasigurta të punës, si dhe Kodi Etik i PRSD-së.
 
FLORIJE KAMBERI