Maqedoni
Ziadin Sela ribrendoi partinë në “Lidhja Shqiptare”
31.05.2026 16:18
Ziadin Sela e ribrendoi partinë e tij me emrin Lidhja Shqiptare...

Në kongresin partiak Ziadin Sela u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare, e cila siç u tha do të jetë vazhdimësi e krahut të Aleancës për Shqiptarët që edhe deri më tani e drejtonte Sela. Ai tha se ky vendim u mor për të mos qenë peng i vulave dhe vendimeve gjyqësore.
“Kemi ndërtuar nga asgjëja një kala dhe nuk ka forcë që mund ta rrënojë. Nuk do të ketë më që Aleanca për Shqiptarët të mbahet peng me vula dhe vendime gjykatash. Nuk kemi nevojë të jemi peng, kokulur apo vazalë, sepse kështu nuk mund t’u shërbejmë shqiptarëve.”, u shpreh kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela.
Sela kritikoi përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, duke i akuzuar se interesin personal e kanë vendosur para interesit të qytetarëve. Ai përsëriti se Lidhja Shqiptare nuk do të jetë pjesë e qeverisë aktuale dhe se do të vazhdojë të ngrejë çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve.
“Ajo derë është derë turpi. Deputetët e Lidhjes Shqiptare nuk hyjnë në atë derë. Do të vazhdojmë ta mbrojmë gjuhën shqipe, sepse është identiteti ynë. Shqiptarët nuk mund të trajtohen si pakicë. Jemi mbi 30 për qind e popullsisë dhe faktor i paqes e stabilitetit.”, u shpreh Sela.
Kongresi i Lidhjes Shqiptare miratoi edhe disa rezuluta, përfshi Rezolutën kundër majorizimit dhe mbivotimit etnik dhe rezolutën për integrim evropian.
“Lidhja Shqiptare kërkon që në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut të vendoset mekanizëm i votimit me Badenter apo votim të dyfishtë për të gjitha ligjet dhe vendimet që në Kuvend miratohen me shumicë të dyfishtë ose me parimin e Badenterit, me qëllim që të parandalohet mbivotimi dhe cenimi i vullnetit politik të komuniteteve. Kongresi vlerëson se respektimi i vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare është parakusht për legjitimitetin demokratik dhe stabilitetin politik të këtij shteti. Për këtë arsye, Lidhja Shqiptare kërkon që në procesin e formimit të qeverisë të respektohet vullneti politik i shqiptarëve, duke garantuar që fituesi, si dhe shumica e deputetëve shqiptarë, të jenë pjesë përbërëse e qeverisë dhe e vendimmarrjes shtetërore.”, u shpreh Naim Bajrami nga Lidhja Shqiptare.
“Lidhja Shqiptare rithekson se integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet alternativa e vetme strategjike për stabilitet politik, zhvillim ekonomik, forcim të shtetit ligjor dhe garantimin e barazisë së plotë ndërmjet qytetarëve. Kongresi vlerëson se procesi i integrimit evropian kërkon përgjegjësi shtetërore, konsensus politik dhe përmbushje të obligimeve të marra ndërkombëtarisht, përfshirë edhe zbatimin e kornizës negociuese të Bashkimit Evropian. Lidhja Shqiptare mbështet vazhdimin e rrugës evropiane të vendit përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me obligimet që dalin nga procesi negociues dhe nga propozimi francez.”, u shpreh Tiron Jahjaga nga Lidhja Shqiptare.
Nga Lidhja Shqiptare njëherit theksuan se nuk kanë vija të kuqe për bashkëpunim me partitë shqiptare, ndërsa i ftuan për bashkëpunim rreth interesave kombëtare të shqiptarëve.
VISAR SADIKI
