Botë

ShBA kryen sulme të reja “vetëmbrojtëse” në Iran

01.06.2026 10:57

Dhuna sërish ka shpërthyer në Lindjen e Mesme, me ushtrinë amerikane që tha se ka kryer rundin e tretë të sulmeve “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve në Iran...

Dhuna sërish ka shpërthyer në Lindjen e Mesme, me ushtrinë amerikane që tha se ka kryer rundin e tretë të sulmeve “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve në Iran, teksa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë ndaj Kuvajtit në orët e para të 1 qershorit.

Sulmet e reja vijnë në kohën kur zyrtarët amerikanë dhe iranianë po shkëmbejnë një sërë propozimesh për një kornizë që do të zgjaste armëpushimin aktual edhe për 60 ditë, si dhe potencialisht do të hapte Ngushticën e Hormuzit dhe do të hiqte bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane, mes çështjeve të tjera që po diskutohen.
 
CENTCOM-i përmes deklaratës tha se sulmet ishin, të paktën pjesërisht, në përgjigje të rrëzimit të një droni nga forcat iraniane. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit u citua nga mediat shtetërore iraniane të ketë thënë se forcat e tij kishin shënjestruar një bazë ajrore që është përdorur nga forcat amerikane për të kryer sulmet e fundit, pa specifikuar se në cilin shtet ndodhej baza. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se mbrojtja e saj ajrore po përballej me “sulme armiqësore me raketa dhe dronë”, ndërsa sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore u dëgjuan në këtë shtet të vogël të Gjirit Persik që është aleat i ShBA-së. Uashingtoni po ashtu kreu sulme më 25 maj dhe më 27-28 maj kundër vendeve nga ku lëshohen raketat, ndaj anijeve që përdoren për të vendosur mina detare dhe caqeve të tjera ushtarake, të cilat ShBA-ja tha se përbënin kërcënim për forcat amerikane dhe transportin tregtar në Ngushticën e Hormuzit.