Maqedoni
Shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, fëmijët kërkojnë më shumë siguri dhe më pak dhunë
01.06.2026 14:11
Sot shënohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve...

Sot shënohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, një ditë kushtuar promovimit të të drejtave, sigurisë dhe mirëqenies së më të vegjëlve. “Fëmijëria e lumtur nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e çdo fëmije.”. Pikërisht këtë mesazh përcollën nxënësit e disa shkollave fillore të Shkupit në një aktivitet të organizuar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në prag të kësaj dite. Përmes pankartave dhe mesazheve sensibilizuese, ata kërkuan më shumë mbrojtje nga dhuna dhe bullizmi, veçanërisht në hapësirën digjitale. Sipas tyre, çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë të rritet, të mësojë dhe të zhvillohet në një mjedis të sigurt, pa frikë dhe pa diskriminim. Siguria e nxënësve mbetet një nga sfidat më të mëdha që shqetëson jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit dhe stafin arsimor.
“Ne, fëmijët, jemi e tashmja, por edhe e ardhmja e këtij vendi. Zhvillimi ynë i drejtë do të thotë zhvillim i drejtë i shoqërisë. Andaj, është me rëndësi që ne, fëmijët, të rritemi në kushte të mira, ku do të ulet ndikimi i bullizmit kibernetik ndaj nesh.”, - tha një nxënës.
“Qëllimi është që njerëzit t’i kuptojnë efektet negative të dhunës mes bashkëmoshatarëve. Mesazhi ynë i përbashkët është që kur hasim dhunë mes bashkëmoshatarëve, ta parandalojmë atë.”, - tha një nxënës tjetër.
Mësimdhënësit janë të mendimit se krijimi i një klime të shëndetshme shkollore kërkon angazhim të përbashkët të prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve, duke promovuar ambient me plot paqe, respekt dhe mirëkuptim mes të rinjve.
“Jetojmë në një kohë kur dhuna është e pranishme kudo dhe, fatkeqësisht, reflektohet edhe në shkollat tona. Nxënësit meritojnë të mësojnë dhe të rriten në një mjedis të sigurt. Kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve, për të ndërtuar një ambient të bazuar në paqe, respekt të ndërsjellë dhe dashuri.”, - deklaroi profesoresha në gjimnazin "Gostivar", Valentina Shterijovska.
Me këtë qëndrim pajtohen edhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Sipas tyre, rrjetet sociale dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme ndikojnë dukshëm në zhvillimin emocional dhe sjelljen e fëmijëve thonë nga Ambasada e Parë e Fëmijëve “Megjashi”. Sipas thirrjeve të pranuara, shumë fëmijë kërkojnë ndihmë dhe këshillim për probleme që lidhen me shëndetin e tyre mendor.
“Ndikimi është shumë i madh. Raporti i fundit i Linjës për Fëmijë dhe të Rinj i Ambasadës së Fëmijëve “Megjashi” tregon se rreth 30 për qind e thirrjeve që kemi pranuar kanë të bëjnë me shëndetin mendor të fëmijëve. Problemet që ata raportojnë më së shpeshti janë ankthi, frika, vetmia dhe, fatkeqësisht, edhe mendimet suicidale.”, - theksoi përfaqësuesja e Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi”, Fatmire Ajdari Murseli.
Sociologu Denis Raufi thotë se celularët dhe rrjetet sociale janë shndërruar në ndër "armët" më të fuqishme të bullizmit modern. Ai kërkon më shumë kontroll prindëror dhe edukim për përdorimin e sigurt të internetit, si dhe fushata dhe projekte në shkolla për parandalimin e dhunës që në moshë të hershme.
“Jetojmë në epokën e teknologjisë, ku fëmijët kanë qasje në shumë informacione. Një nga problemet kryesore është se ata shpesh nuk arrijnë të dallojnë se cilat informacione janë të dobishme dhe cilat jo. Nga ana tjetër, mungon kontrolli prindëror, i cili është një mekanizëm shumë i rëndësishëm. Dhuna është në rritje dhe, nëse e shohim shoqërinë tonë, por edhe botën në përgjithësi, në rrjetet sociale hasim vazhdimisht gjuhë të dhunshme, ofendime dhe dhunë verbale.”, - u shpreh sociologu Denis Raufi.
Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, aktivitete dhe manifestime të ndryshme u organizuan edhe në shumë shkolla fillore dhe të mesme në mbarë vendin.
REXHEP QAMILI
