Lindja e Mesme, përshkallëzohen tensionet ShBA - Iran

01.06.2026 14:54

Një valë e re përshkallëzimi po trondit Lindjen e Mesme...

Një valë e re përshkallëzimi po trondit Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë të rriten. Uashingtoni dhe Teherani raportojnë për sulme të reja në një periudhë kur përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve mbeten pa rezultate konkrete.

Komanda Qendrore e ShBA-së ka konfirmuar se ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave iraniane, duke i cilësuar ato si veprime vetëmbrojtëse pas rrëzimit të një droni amerikan mbi ujëra ndërkombëtare.

“Sulmet e kujdesshme dhe të qëllimshme u kryen të shtunën dhe të dielën si përgjigje ndaj veprimeve agresive iraniane, përfshirë rrëzimin e dronit amerikan që po fluturonte mbi ujëra ndërkombëtare. Avionët luftarakë amerikanë reaguan shpejt duke neutralizuar sistemin iranian të mbrojtjes ajrore, stacionin tokësor të kontrollit dhe dy dronë sulmues njëdrejtimësh, të cilët përbënin një kërcënim të qartë për anijet që kalonin në ujërat rajonale.”, - thanë nga Komanda Qendrore e ShBA-së.

Garda Revolucionare Islamike njoftoi se ka shënjestruar një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane për sulme ndaj Iranit jugor. Në të njëjtën kohë, Kuvajti bëri të ditur se mbrojtja ajrore ka hapur zjarr ndaj një valë dronësh dhe raketash iraniane që po afroheshin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shkelin armëpushimin, përfshirë edhe këtë mëngjes. Irani do të ndërmarrë çdo masë që e konsideron të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se palët janë gjithnjë e më afër një marrëveshjeje, por është i gatshëm të ndjekë një qasje më të ngadaltë në negociata, pavarësisht shqetësimeve për ndikimet ekonomike të luftës dhe çmimet e larta të energjisë. Sipas Trampit, Irani është zotuar se nuk do të zhvillojë armë bërthamore, çështje që mbetet në qendër të mosmarrëveshjes mes dy vendeve. Nga Irani thonë se çështja bërthamore aktualisht nuk është në rend dite.

“Irani dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje dhe ajo do të jetë e mirë për ShBA-në dhe për aleatët tanë. Thjesht uluni dhe qëndroni të qetë, në fund gjithçka do të dalë mirë, gjithmonë ndodh kështu!”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Tensionet mbeten të larta edhe përgjatë kufirit Izrael - Liban, ndërsa shkëmbimet e sulmeve mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë pavarësisht armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e ShBA-së. Për Iranin, ruajtja e armëpushimit në Liban është një kusht thelbësor për çdo marrëveshje që synon përfundimin e luftës. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)