Maqedoni

Kërçovë, këshilltarët shqiptarë kundërshtojnë ndarjen e mjeteve për “Kërçova, qytet i kulturës”

01.06.2026 15:06

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Kërçovës, komisioni për kulturë prezantoi raportin për ndarjen e mjeteve...

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Kërçovës, komisioni për kulturë prezantoi raportin për ndarjen e mjeteve për programin “Kërçova, qytet i kulturës”, që u kundërshtua ashpër nga këshilltarët shqiptarë, duke prezantuar fakte dhe argumente të përbuzjes ndaj kulturës shqiptare, e cila sipas tyre, përfaqësohet me vetëm 16 për qind të buxhetit të planifikuar për projektet e manifestimit “Kërçova, qytet i kulturës”.
 
“Vlerësoj se mjetet e kulturës nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, ndërkohë që janë favorizuar disa individë me lidhje familjare.”, nënvizoi këshilltari i BDI-së, Ilir Rushani.
 
Kryetari i komisionit për kulturë Mihajllo Petrevski, në arsyetimin e tij lidhur me përfaqësimin joadekuat të kulturës shqiptare, potencoi se “në shpalljet publike të komunës së Kërçovës, askund nuk shkruan se duhet të aplikojnë vetëm maqedonasit ose vetëm shqiptarët”.
 
Por, këshilltarja e ASH-së, Syarta Saliu Osmani, e pyeti kryetarin e komisionit, a është një ndër kriteret e përzgjedhjes lidhja familjare me persona të caktuar që kanë fituar projekte.
 
Kundërshtimet e tij, lidhur me ndarjen e mjeteve i ka prezantuar edhe këshilltari i pavarur, Kujtim Kasami, i cili shtroi pyetjen esenciale, se pse komisioni për kulturë i ka injoruar projektet tradicionale të shoqatave shqiptare, të cilat për shumë vite me radhë e kanë prezantuar në mënyrë dinjitoze kulturën dhe traditat e shqiptarëve, popullit shumicë në komunën e Kërçovës.
 
SHABAN DALIPI