Dita Ndërkombëtare e Familjeve Kujdestare, të rritet vetëdija për këtë vepër humane
Nevoja për familje kujdestare për fëmijët pa prindër në Maqedoninë e Veriut...

Nevoja për familje kujdestare për fëmijët pa prindër në Maqedoninë e Veriut mbetet e vazhdueshme, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve kompetente bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe për ndryshime sistemore që do të nxisin më shumë familje të angazhohen në këtë formë humane të përkujdesjes.
Me rastin e shënimit të Ditës së Familjeve Kujdestare, drejtoresha e SOS Fshatit të Fëmijëve, Julijana Gapo, vlerësoi se nevojiten masa motivuese nga Ministria e Politikës Sociale për të rritur interesimin dhe të sjellë akt nënligjor për t'i mbështetur.
“Është e nevojshme të bëhen disa ndryshime nënligjore përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. P.sh., që të jeni kujdestarë duhet të jeni i punësuar. Nëse merrni fëmijë në përkujdesje si do të shkoni në punë në këtë rast, nuk ju takon as pushim mjekësor apo si do të kujdeseni. Ka pengesa që ligji duhet t’i mënjanojë.”, - deklaroi drejtoresha e SOS Fshatit të Fëmijëve, Julijana Gapo.
Drejtoresha e Shtëpisë për Fëmijë “11 Tetori”, Pavlina Trajanovska, u bëri thirrje qytetarëve që kanë mundësi të hapin dyert e shtëpive të tyre për fëmijët në rrezik social.
“Nevojitet të ndryshohet mentaliteti i popullsisë së Maqedonisë. Ende niveli i ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdestarisë familjare nuk është në nivel të lartë. Secili prej nesh të fillojë të mendojë, t’ju ndihmojë këtyre fëmijëve, ta hapë shtëpinë e tyre dhe t’ju ofrojë dashuri, mbështetje dhe siguri sociale.”, - theksoi drejtoresha e Shtëpisë për Fëmijë “11 Tetori”, Pavlina Trajanovska.
Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, tha se Ministria, së bashku me qendrat burimore në Manastir dhe SOS Fshatin e Fëmijëve, do të vazhdojë fushatat për rritjen e numrit të familjeve kujdestare.
“Duhet të rritet numri i familjeve kujdestare si forma më e afërt dhe më natyrale për një fëmijë apo person i cili duhet marrë nën kujdes.”, - u shpreh zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski.
Përveç fushatave për ndërgjegjësimin e publikut, Ministria vazhdon të mbështesë familjet kujdestare edhe përmes ndihmës financiare mujore. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në vend ka 384 familje kujdestare, ku janë të vendosur 664 persona. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
