Maqedoni
Të martën, kreu i KE-së në Shkup, Mucunski: Problemi me Bullgarinë, temë kryesore
01.06.2026 15:34
Mucunski shpalos temat që do të jenë në fokus të takimit të së martës me kryetarin e Këshillit Evropian...

Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, shpalos temat që do të jenë në fokus të takimit të së martës me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Sipas tij, në fokus do të jetë mosmarrëveshja me Bullgarinë, ndërkaq kreut të Këshillit do t’i përcillen mesazhet tashmë të njohura, se Qeveria nuk heq dorë nga pozicioni për gjetjen e një zgjidhjeve dinjitoze me Bullgarinë për mosmarrëveshjet dypalëshe.
“Sigurisht do të bisedojmë edhe për kontestin me Bullgarinë. Kjo definitivisht do të jetë njëra prej temave. Pozicionet tona janë parimore. Deri më tani edhe kryetari Kosta ka qenë, do të thoja, aktor proaktiv në atë proces. Ka pasur disa tentativa për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje dhe në këtë frymë do të vazhdojë dialogu ynë. Gjithsesi në suaza të pozicioneve të cilat i ka Qeveria, i ka paralajmëruar në mënyrë transparente. Ne e dimë që ka kontest, i cili duhet të zgjidhet në mënyrë dinjitoze. Dallimi mes nesh dhe pararendësve tanë është se ne para fjalës “zgjidhje” vëmë fjalën “dinjitet”. Nuk mund të ketë zgjidhje me çdo kusht.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Garancitë e kërkuara nga BE-ja, Mucunski: Hapin besimin e ndërsjellë me Sofjen
Ndërkohë Mucunski ripërsërit kërkesat apo garancitë nga institucionet e BE-së, që si rrjedhojë do të çonte në besim të ndërsjellë me Bullgarinë.
“Konkluzat nga ana e Këshillit se për këtë shtet më nuk do të ketë kërkesa të ndërlidhura as me historinë, as me identitetin, as me gjuhën dhe me kulturën. Kjo për ne është pjesë e pakos së garancive dhe pritshmëritë tona për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane ndaj Bullgarisë. Nëse shteti merr garanci institucionale nga Këshilli dhe më pas Bullgaria në mënyrë reciproke zbaton vendimet që duhet t’i bëjë, atëherë jemi në pozicion ku ndërtohet besim i ndërsjellë.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Integrimi i vendit, LSDM: Qytetarët duan Evropë, treni po na ik
Socialdemokratët vazhdojnë me akuzë ndaj kryeministrit Mickoski për pengimin e procesit eurointegrues. Sipas LSDM-së, Mickoski erdhi në pushtet me gënjeshtra dhe vazhdon t’i gënjejë qytetarët, e gënjeshtra e fundit është se do t’i përfundojë të gjitha pikat e Agjendës së Reformave deri më 1 qershor-së, akuzojnë nga kjo parti.
“Kjo qeveri thjesht nuk dëshiron të hyjë në Evropë. Dhe, për këtë arsye themi: Ndaloni së gënjyeri! Dihet se cila është rruga përpara, rruga që çon përpara janë ndryshimet kushtetuese. Nëse e lëshojmë këtë tren, nëse e lëshojmë këtë mundësi, ndoshta i fundit për qytetarët, për gjeneratat e ardhshme thjesht s’do të ketë.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Qytetarët duan Evropë, duan reforma, jetë më cilësore dhe gënjeshtrave t’ju vijë fundit, përfundojnë nga LSDM-ja opozitare.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
