Maqedoni
Kuvend, Parlament ndërkombëtar për rritjen e tolerancës
01.06.2026 15:49
Kryeparlamentari Afrim Gashi ftoi për tolerancë, paqe dhe bashkëjetesë në një kohë kur gjuha e urrejtjes është prezente....

Kryeparlamentari Afrim Gashi ftoi për tolerancë, paqe dhe bashkëjetesë në një kohë kur gjuha e urrejtjes është prezente. Në fjalimin e tij në sesionin plenar të Parlamentit ndërkombëtar për tolerancë dhe paqe, Gashi theksoi se të gjithë kemi përgjegjësi që të rinjtë të kenë më shumë dialog, pasi bota sot ka mungesë të besimit. Në raste të tilla, sipas Gashit, vjen në shprehje roli historik i Parlamentit.
“Përgjegjësia e parlamenteve nuk mundet të mbetet vetëm procedural. Atëherë kur politika është në sfida që të ndahet në kampe dhe përplasje, janë parlamentet ato që duhet të mbrojnë dinjitetin njerëzor, vlerat universale dhe të jenë zëri i arsyes.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Në fokus ishte edhe ulja e tensioneve në mbarë botën. Panelistët thanë se duhet të punohet për ç’tensionim të situatës edhe në Lindjen e Mesme.
“Ndëshkojmë sulmet e Iranit, të cilat targetojnë vendet e gjirit si dhe sulmet ndaj civilëve, që shkaktuan edhe viktima në njerëz. Targetimi i infrastrukturës civile dhe kërcënimet mbi stabilitetin në rajon janë të papranueshme që dëmtojmë të drejtën ndërkombëtare.”, - theksoi Ahmed Bin Mihamed Allxharban nga Këshilli Global për Paqe.
“Tensionet gjeopolitike vetëm se po rriten. Megjithatë të gjitha ato na rikujtojnë se paqja përfundimisht nuk është arritur.”, - u shpreh Xhangrang Epainete Sede nga Parlamenti Ndërkombëtar për Paqe.
Pjesëmarrësit konsideruan se Evropa Juglindore mund të dërgojë porosi të qartë globit se paqja është e mundur, ndërkaq toleranca mund të tejkalojë ndasitë.
MERAL ISMAILI
