Projekti turistik në Zvernec, policia private dhunoi protestuesit, reagoi Rama

01.06.2026 16:14

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrojti projektin turistik në Zvernec...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrojti projektin turistik në Zvernec, duke deklaruar se investimi prej 4 miliardë eurosh financohet nga partnerë privatë dhe se zhvillimi do të kryhet vetëm në prona private.

Ai sqaroi se është dhënë vetëm leja e zhvillimit, ndërsa studimi mjedisor dhe leja e ndërtimit ende nuk janë miratuar. Rama dënoi ashpër dhunën e ushtruar nga kompania private e sigurisë ndaj protestuesve, si dhe reagoi gjithashtu ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke, duke lënë të kuptohet se kundërshtimi ndaj projektit po nxitet edhe nga faktorë të jashtëm.

“Partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për 4 miliardë euro, si pronarë të terrenit që e kanë blerë me para dhe jo nga Izraeli, por nga Katari. Bota mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar këtë projekt, Jared Kushner. Ka ardhur dhe ajo zonja, as për pushime as për foto. Pasuritë objekt zhvillimi janë vetëm prona private, të gjitha në pronësi të shoqërisë Albanian Delvolipment. Struktura e shoqërisë ka ortak të vetëm, Sazan Holding. Aty janë ata që dimë, dhe janë 2 bashkëpronarët e kompanisë për Holding nga Katari - që portofolin e turizmit e kanë ndër më të shkëlqyer në votë.”, - deklaroi kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama tha se deri më tani është dhënë leja e zhvillimit, që lejon edhe rrethimin e pronës dhe ende jo leja e ndërtimit.

Projekti akoma nuk është dorëzuar, studimi mjedisor akoma  nuk është bërë.  Pishë-Poro nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet edhe sipas IUCN kategori e pestë, peizazh i mbrojtur (ka një vendim qeverie). Në kategori të 5-të janë të ndërtuara në konceptin e bashkëjetesës së natyrës dhe biznesit, turizmit, nuk konceptohet si zonë pa zhvillim, se kanë banuar e banojnë njerëz, por ku peizazhi duhet të vazhdojë të bashkëjetojë.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Duke u kthyer te protesta e së shtunës, ku aktivistët u tërhoqën zvarrë nga rojet private, Rama ishte jo pak i ashpër edhe me policinë që nuk reagoi.

“Sjellja e kompanisë së sigurisë, e neveritshme! Edhe e policisë vendore, e neveritshme, gjë për të cilën ka pasur reagim të menjëhershëm, ndërkohë që nuk e di çfarë duhet të bëjë më shumë shteti. Ndërkohë që duhej t’i kishte arrestuar aty në vend ata.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama reagoi edhe ndaj Ministrisë së Jashtme greke, e cila deklaroi dje se ishte plagosur një shtetas grek gjatë protestës. Sipas kreut të Qeverisë, qëndrimi kundër projektit është i nxitur edhe nga jashtë. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)