Botë
Tramp: Marrëveshje me Iranin gjatë javës së ardhshme
02.06.2026 11:30
Tramp tha se ai pret që të arrihet një marrëveshje me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, tha se ai pret që të arrihet një marrëveshje me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda javës së ardhshme. Sa i përket afatit kohor për një marrëveshje të mundshme, presidenti Tramp tha se “mendojmë se po flasim për javën e ardhshme”. Udhëheqësi amerikan tha se një marrëveshje nuk është arritur deri më tani sepse “më duhet të siguroj edhe disa pika të tjera”.
Ditëve të fundit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë këmbyer sulme, me forcat amerikane që njoftuan për sulme “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve iraniane dhe Irani la të kuptohet se kishte sulmuar një bazë amerikane në Kuvajt. Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje vijnë në kohën kur mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po pengon në mënyrë të konsiderueshme furnizimet globale me naftë dhe ka bërë që çmimet e energjisë të rriten.
Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, e cila filloi më 28 shkurt, ka vrarë mijëra njerëz dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme. Ngushtica e Hormuzit është një rrugë jetike detare përmes së cilës kalon pothuajse 20 për qind e furnizimit botëror me naftë nga Gjiri drejt tregjeve ndërkombëtare.
