Botë

Sulme ruse mbi Ukrainë, humbën jetën 11 persona

02.06.2026 12:12

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një vale të gjerë sulmesh ruse me raketa dhe dronë në Ukrainë...

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një vale të gjerë sulmesh ruse me raketa dhe dronë në Ukrainë, në atë që konsiderohet një nga bombardimet më të mëdha të muajve të fundit.
 
Sipas autoriteteve ukrainase, katër nga viktimat u regjistruan në Kiev, ku një ndërtesë 9-katëshe banimi u shemb pjesërisht pas goditjes. Mes të plagosurve raportohet se ka edhe fëmijë, ndërsa dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile. Sulmet vijnë vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski paralajmëroi për mundësinë e një ofensive të re masive ruse. Duke iu referuar informacioneve të inteligjencës, ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të reagojnë ndaj çdo alarmi ajror.
 
Që prej përfundimit të armëpushimit të shkurtër në muajin maj, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës me raketa dhe dronë. Një nga goditjet më të rënda të javëve të fundit në Kiev shkaktoi 24 viktima, mes tyre edhe tre fëmijë. Ndërkohë, luftimet nuk janë kufizuar vetëm në territorin ukrainas. Një sulm ukrainas me dron në rajonin e Moskës vrau tre persona, veprim që Zelenski e përshkroi si një përgjigje “plotësisht të justifikuar” ndaj bombardimeve ruse.