Rajon

Të dielën Kosova do të votojë, KQZ-ja bën përgatitjet e fundit

02.06.2026 13:48

Këtë fundjavë qytetarët e Republikës së Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit....

Këtë fundjavë qytetarët e Republikës së Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë shtypur fletëvotimet për votuesit brenda Kosovës, ndërsa votohet edhe në përfaqësitë diplomatike-konsullore. Diaspora voton me postë. 
 
“Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1.605.000 fletëvotime janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta; 19.450 për votimin me kusht; 13.500 fletëvotime rezervë dhe 3.500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. Edhe në këto zgjedhje, si në të kaluarën, KQZ-ja ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve dhe kjo mbështetet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Po ashtu, nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, për votimin me postë jashtë Kosovës janë shtypur 108 mijë fletëvotime, ndërsa për votimin në përfaqësi diplomatike 28.850 fletëvotime.”, - deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 
 
KQZ-ja sqaron se fletëvotimet për votimin me postë, i cili ka nisur më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor, janë dërguar në adresa të votuesve të regjistruar, ndërkaq fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore janë nisur për t’u dërguar në përfaqësi diplomatike, në të cilat do të zhvillohet votimi më 6 qershor. 
 
Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, në 18 shtete të ndryshme të botës. Ndërsa më 7 qershor në zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet në Kosovë është 1 milionë e 959 mijë e 962 votues. Të drejtën e votës pritet ta shfrytëzojnë edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Maqedonisë, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës.
 
GYLTENE SINANI