Botë
Seri sulmesh në Ukrainë, viktima dhe shkatërrime pas sulmeve në Kiev
02.06.2026 13:59
Banorët e Kievit vazhdojnë të përballen me tmerrin e luftës...

Banorët e Kievit vazhdojnë të përballen me tmerrin e luftës. Dhjetëra raketa dhe qindra dronë gjatë natës goditën kryeqytetin dhe disa qytete të Ukrainës, duke shkaktuar viktima dhe qindra të plagosur. Janë shkatërruar ndërtesa banimi dhe është dëmtuar rëndë infrastruktura rrugore dhe energjetike në disa rajone të Kievit. Banorët e kaluan natën në strehimore dhe në stacionet e metrosë, duke kërkuar mbrojtje nga sulmet. Disa prej tyre thonë se kjo ishte një nga netët më të rënda që nga fillimi i luftës.
“Ishte një natë e tmerrshme, një nga më të këqijat që kam përjetuar. Vendosa të shkoj në strehimore këtë natë dhe ishte vendimi i duhur, sepse një dron ra pikërisht këtu, jo larg vendit ku jetoj.”, - tha një inxhinier ndërtimi, banor i Kievit, Elias Farijas.
“Pashë flakë nga mbetjet, doja të shihja çfarë po ndodhte dhe në atë moment ndodhi shpërthimi; nga shpërthimi më ra një perde para syve, nuk shihja asgjë, vetëm në largësi dëgjova klithmën e gruas sime. U zvarrita deri te ajo, falë Zotit jemi gjallë.”, - tha një banor tjetër i Kievit, Evgen Dniprovski.
“Kam pasur fat! Vetëm indet e buta janë prekur dhe lëkura është prerë. Tani nuk kam ku të jetoj, apartamenti është plotësisht i shkatërruar, nuk ka dyer, nuk ka dritare, nuk ka ballkon, dalja është direkt nga dhoma në rrugë.”, - u shpreh një banore e Kievit, Olena Dniprovska.
Pas sulmit të tmerrshëm rus, presidenti ukrainas Zelenski përsëri i bëri apel aleatëve dhe presidentit amerikan Donald Tramp për dërgimin e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot. Në Kiev, ekipet e shpëtimit dolën në terren edhe gjatë alarmit, deri në orët e hershme të mëngjesit, duke u përpjekur të nxjerrin sa më shumë të mbijetuar nga rrënojat. Kryetari i Kievit njofton për dëme të mëdha materiale.
“Një tjetër sulm masiv ndaj kryeqytetit me dronë dhe raketa. Në zona të ndryshme të qytetit janë dëmtuar ndërtesa dhe zona banimi. Shërbimet emergjente tani po punojnë për të eliminuar pasojat e sulmeve. Jam këtu në lagjen Podilsk. Ka ndërtesa të dëmtuara dhe njerëz të plagosur.”, - theksoi kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitçko.
Sulmet e intensifikuara ruse vijnë në një kohë kur po ngecin përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, disa herë ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet për një ofensivë të madhe ajrore.
FARIJE DAUTI BAKIU
