Botë

Vazhdojnë bombardimet në Libanin jugor, Izraeli i shpërfill përpjekjet për armëpushim

02.06.2026 14:14

Vazhdojnë përplasjet në Libanin Jugor, pavarësisht se Izraeli dhe Hezbollahu kanë pranuar planin amerikan për zbatimin e një armëpushimi të pjesshëm....

Vazhdojnë përplasjet në Libanin Jugor, pavarësisht se Izraeli dhe Hezbollahu kanë pranuar planin amerikan për zbatimin e një armëpushimi të pjesshëm. Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, deklaroi se ka biseduar me të dyja palët dhe se ato janë pajtuar që të ndalojnë të gjitha sulmet me armë zjarri, pasi Teherani paralajmëroi se veprimet ushtarake izraelite në Liban përbëjnë kërcënim për armëpushimin aktual mes ShBA-së dhe Iranit.
 
“Kam zhvilluar një bisedë me “Bibi” Netanjahun dhe i kërkova të mos ndërmarrë një sulm të madh ndaj Bejrutit, në Liban. Ai i tërhoqi trupat e tij. Faleminderit, Bibi! Kam folur edhe me përfaqësues të udhëheqjes së Hezbollahut dhe ata ranë dakord të ndalojnë sulmet ndaj Izraelit. Po ashtu, edhe Izraeli pranoi të ndalojë sulmet ndaj tyre. Të shohim sa do të zgjasë kjo, shpresoj që të zgjasë përgjithmonë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Libani njoftoi se Hezbollahu e ka pranuar propozimin amerikan për ndërprerjen e sulmeve ndaj Izraelit. Ndërsa Netanjahu e konfirmoi marrëveshjen, por paralajmëroi se sulmet ndaj Bejrutit do të vazhdojnë nëse Hezbollahu nuk ndalon sulmet ndaj qyteteve dhe civilëve.
 
“Le ta dijë kushdo që komploton të keqen kundër Izraelit se planet e tij do të dështojnë. Çmimi që do të paguajë do të jetë jashtëzakonisht i lartë. Çmimi që Irani ka paguar tashmë është shumë i rëndë. Themelet e këtij regjimi terrori në Iran janë thyer. Ai nuk do të kthehet më në atë që ishte dhe po ju them, në fund do të bjerë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Vendimi i Izraelit për vazhdimin e luftimeve ka shtuar shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar.
 
“Situata në Liban është thellësisht alarmante. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë lëshuar paralajmërime të gjera dhe urgjente, duke urdhëruar civilët të evakuojnë të gjitha zonat në jug të lumit Zahrani, përfshirë rajonet Nabatijeh dhe Tyre, si dhe tre kampe të afërta refugjatësh palestinezë, duke e përcaktuar praktikisht të gjithë Libanin Jugor si një ‘zonë lufte’. Këto armiqësi reflektohen në të gjithë rajonin. Duhet urgjentisht të dyfishojmë përpjekjet për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm.”, - u shpreh ndihmës-sekretarja e përgjithshme e OKB-së, Marta Ama Akja Pobe.
 
ShBA-ja dhe Irani zhvillojnë negociata intensive për kornizën e një marrëveshjeje që synon përfundimin e luftës, përfshirë edhe zgjatjen e armëpushimit që është në fuqi që nga 8 prilli. Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, të dyja palët kanë shkëmbyer zjarr disa herë gjatë javëve të fundit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU