Rajon
Presidenti i Këshillit Evropian viziton Tiranën, Rama: Kemi dakordësi në të gjitha çështjet
02.06.2026 14:38
Brukseli dhe Tirana zyrtare janë në unison perfekt në lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe detyrat që ajo ka para....

Brukseli dhe Tirana zyrtare janë në unison perfekt në lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe detyrat që ajo ka para.
"Kemi dakordësi 100% në të gjitha çështjet. Kemi dakordësi 100% për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë. Kemi dakordësi 100% për sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve. Kemi dakordësi 100% që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues dhe kemi dakordësi 100% që të gjitha këto janë më të lehta për faktin që në këtë rrugë ne s’jemi vetëm, por kemi një partner të jashtëzakonshëm, siç është BE dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijeje, siç është procesi i negociatave dhe i ndërveprimit me Komisionin Evropian.", - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
“Këto reforma më shumë sesa kushte të vendosura nga Bashkimi Evropian, janë në fakt zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike, që do të thotë, që një angazhim i vazhdueshëm, i prekshëm politik për sundimin e ligjit dhe për ruajtjen e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës, janë themele thelbësore për anëtarësimin në BE.", - theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
Kosta: Kemi kushtet për mbylljen e disa kapitujve
Nga Tirana, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, u pyet edhe për propozimin e Merzit për integrim gradual në BE, por ai tha se me Shqipërinë dhe Malin e Zi kjo nuk është e nevojshme.
"Unë mendoj që ne mund të punojmë qartazi se jemi në rrugën e duhur. Tashmë unë mendoj se kemi kushtet për të filluar mbylljen e disa kapitujve. Komisioni dje i ka sjellë Këshillit për mbylljen e tre kapitujve. Duhet të punojmë pikërisht për këtë çështje.", - u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
Gjatë vizitës në Tiranë, në kuadër të turit ballkanik para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi, Kosta u prit edhe nga presidenti Begaj. Shqipëria, e cila vetëm pak ditë më parë mori vlerësimin e vendeve anëtare për piketat e ndërmjetme, synon mbylljen e 10 kapitujve negociues brenda vitit 2026.
LULJETA NDOKA
