Vizita e Antonio Kostas në Shkup, Mickoski: Nuk ndryshojmë pozicionet tona
Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta...

Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup në një takim me kryeministrin Hristijan Mickoski. Në takim Kosta do të flasë për mundësinë e zgjerimit të BE-së, tani si mundësi reale, por pret edhe rezultate nga Maqedonia si vend kandidat.
Me gjithë pritjet, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ardhja e Kostas nuk do të ndryshojë qëndrimet e Shkupit zyrtar.
Ai do të kërkojë nga ai garanci se s’do ketë më kushtëzime në rrugëtimin drejt BE-së, krahas ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq Bullgaria të marrë parasysh aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për shkeljen e të drejtave të maqedonasve në Bullgari.
“Është jokorrekte dhe joserioze që të pritet se ne përnjëherë me ardhjen e përfaqësuesit të lartë evropian, menjëherë do të ndryshojmë pozicionin dhe e kemi përfunduar punën. Nuk ka kështu. Dhe e dyta, të gjithë duhet të dinë se pa VMRO-DPMNE-në kjo punë nuk bëhet. Ajo që është para nesh është e qartë. Qeveria e kaluar ka pranuar ndryshimet kushtetuese, propozimin francez, protokollin një, dy e kështu me radhë. Por, të shohim tani se çfarë ka qeveria bullgare para vetes, e këto janë 14 aktgjykime të gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Kjo punë duhet të ketë besim dhe kjo krijohet në një rrugë dy kahëshe.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri thotë se përkrah ndërtimit të besimit duhet të shtrohet edhe rruga e bisedimit me BE-në dhe Sofjen.
“Qëndrimi ynë është i qartë: na jepni informacione një ditë para dhe ne do të jemi aty ku ju thoni dhe do të bisedojmë me kë do të thoni. Por, ne nuk e dimë me kë të bisedojmë, pasi që nga njëra anë Sofja zyrtare thotë se ky është problem midis Maqedonisë dhe BE-së. Mirë, ne shkojmë në Bruksel që të bisedojmë, dhe ata thonë si bisedoni pa ne. Ne themi të flasim me Sofjen dhe këta e ripërsërisin të njëjtën.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Vizita e kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, vjen në kuadër të vizitës së tij me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në prag të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. (Meral Ismaili, TVM2)
