Qeveria miraton planin e veprimit, mbi 40 milionë euro për punësime të reja
Në Qeveri është prezantuar plani operativ i punësimit për vitin 2026...

Në Qeveri është prezantuar plani operativ i punësimit për vitin 2026. Ai përfshin masa dhe aktivitete që synojnë rritjen e punësimit dhe mbështetjen e tregut të punës.
Të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznesin e tyre do të mbështeten me gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë denarë, 10 për qind më shumë për mërgimtarët që do të kthehen në vend dhe do të hapin biznesin e tyre, financa për kompanitë që do të ofrojnë punësim, si dhe trajnime dhe stazhe.

“Sipas planit operativ për vitin 2026, ne ofrojmë mbështetje të drejtpërdrejtë për më shumë se 10 mijë qytetarë me një buxhet total prej mbi 40 milionë eurosh. Ky është një tregues i qartë se Qeveria vazhdon me politika aktive dhe konkrete që sjellin rezultate dhe krijojnë mundësi reale punësimi. Fokusi ynë mbetet tek të rinjtë, të papunët afatgjatë, personat me aftësi të kufizuara, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar, gratë dhe kategoritë e tjera të cenueshme të qytetarëve. Qëllimi është që askush të mos lihet vetëm dhe që të gjithë ata që duan të punojnë të kenë një shans të vërtetë.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

“Plani operativ për masat e programit aktiv për punësime dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2026, që sot e promovojmë, nuk është vetëm dokument, por hap konkret për përmirësimin e mundësive për punë dhe ndërtimin e tregut më inkluziv të punës. Ky dokument përmban masa aktive për përmirësimin e punësimit, veçanërisht tek të rinjtë.”, - theksoi drejtori i Agjencisë së Punësimit, Adnan Ejupi.
Autoritetet theksojnë se masat e planit operativ të punësimit janë të dobishme për të gjithë personat që janë të evidentuar si të papunë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
