Maqedoni
MEPSO dhe MEF 2026, tranzicion energjetik dhe bashkëpunimin rajonal
02.06.2026 15:22
Latifi prezantoi projektet investuese dhe zhvillimore të kompanisë të orientuara drejt modernizimit të rrjetit elektrotransmetues dhe mbështetjes së tranzicionit energjetik...

Rritja e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, si dhe forcimi i ndërlidhjes rajonale përmes projekteve të mëdha infrastrukturore, ishin në fokus të pjesëmarrjes së MEPSO-s në MEF 2026 në Shkup. Në sesionin me temë “Nga reformat në zbatim: Ndërtimi i një të ardhmeje energjetike konkurruese dhe të qëndrueshme”, drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, prezantoi projektet investuese dhe zhvillimore të kompanisë të orientuara drejt modernizimit të rrjetit elektrotransmetues dhe mbështetjes së tranzicionit energjetik. Ai u ndal veçanërisht te korridori elektroenergjetik lindje–perëndim, një iniciativë rajonale me rëndësi për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se në planet nacionale përfshihen 18 projekte me vlerë rreth 350 milionë euro. Këto përfshijnë linja të reja 400 kV, trafostacione dhe ndërlidhje energjetike që rrisin kapacitetet transmetuese dhe lidhjen rajonale.
“Bashkëpunimi rajonal në energjetikë nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Përmes interkonekcioneve dhe koordinimit ndërmjet operatorëve mund të ofrojmë siguri më të madhe në furnizim, integrim më të mirë të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe përdorim më efikas të kapaciteteve transmetuese. Optimizmi rajonal është më efikas dhe më ekonomik sesa izolimi nacional.”, u shpreh Latifi.
Ai veçoi gjithashtu ndërlidhjet energjetike Manastir–Elbasan, trafostacionin e ri 400 kV në Miletkovë, si dhe projektet për modernizimin dhe revitalizimin e rrjetit të transmetimit, duke theksuar edhe proceset për digjitalizim dhe forcim të sigurisë kibernetike. Sipas tij, këto investime pritet të kontribuojnë në rritjen e stabilitetit të sistemit, integrimin më të madh të burimeve të rinovueshme dhe forcimin e mëtejshëm të ndërlidhjes energjetike rajonale. Forumi i 9-të Rajonal për Klimën, Tranzicionin Energjetik dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor – MEF 2026, mbahet për dy ditë me radhë në Shkup dhe është një nga platformat më të rëndësishme rajonale për diplomacinë klimatike dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë.
FARIJE DAUTI BAKIU
