Siljanovska vizitë në Sllovaki, Pelegrini: Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor
Zgjerimi i BE-së ishte në qendër të takimit...

Zgjerimi i BE-së ishte në qendër të takimit midis presidentes së vendit, Siljanovska Davkova, dhe homologut të saj sllovak, Peter Pelegrini, në Sllovaki. Presidenti sllovak theksoi se BE-ja duhet të zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Zgjerimi, sipas tij, duhet të jetë korrekt, i parashikueshëm dhe i bazuar në rregulla të njëjta për të gjitha shtetet, e jo nëpërmjet rrugëve me shkurtesa duke iu referuar anëtarësimit të Ukrainës.
“Në procesin e anëtarësimit nuk duhet të ketë rrugë të shkurtra. Asnjë vend, pa marrë parasysh se në çfarë gjendje të rëndë është, nuk mund që thjesht të ketë përparësi dhe të anëtarësohet para atyre vendeve të cilat kanë kaluar rrugë të gjatë dhe shumë vite në përgatitje, pasi kjo do të ishte shumë negative nga pikëpamja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëse Ukrania menjëherë bëhet vend anëtar.”, - deklaroi presidenti i Sllovakisë, Peter Pelegrini.
Siljanovska: Të ndahen reformat nga kontestet
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, theksoi rëndësinë e diferencimit të çështjeve dypalëshe, në rastin konkret me Bullgarinë nga arritjet drejt BE-së.
“Përshëndes qëndrimin sllovak se çështjet identitare dhe kulturore nuk duhet të jenë objekt i kushtëzimeve politike dhe bisedimeve. Atë që ne po kërkojmë është që të jemi të trajtuar si të gjithë të tjerët, të vlerësuar sipas kritereve të Kopenhagës, të fitojmë mundësi që të fokusohemi në reformat dhe sundimin e së drejtës, në vend që të humbim energjinë në çështje dypalëshe që nuk kanë lidhje me kriteret e Kopenhagës.”, - theksoi presidentja, Grodana Siljanovska Davkova.
Dy presidentët janë shprehur të gatshëm në përparimin e bashkëpunimit në më shumë fusha sikurse në ekonomi, shkëmbimin tregtarë, zhvillimin e turizmit të ndërsjellë, arsimit dhe kulturës. (Meral Ismaili, TVM2)
