Maqedoni
Prokuroria Publike rrit transparencën: Komunikimi, kyç për rikthimin e besimit publik
02.06.2026 17:30
Transparenca dhe komunikimi i hapur i Prokurorisë Publike me opinionin...

Transparenca dhe komunikimi i hapur i Prokurorisë Publike me opinionin, veçanërisht për rastet me interes të lartë publik, përbëjnë një element thelbësor të përkushtimit institucional për forcimin e besimit të qytetarëve në punën e Prokurorisë.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh nivelin e ulët të besimit që qytetarët kanë treguar viteve të fundit ndaj sistemit të drejtësisë. Për të përmirësuar këtë komunikim, Prokuroria Publike ka hartuar një strategji të re për periudhën 2026-2028, të shoqëruar me një plan konkret veprimi dhe aktivitete për zbatimin e saj.
Nga Prokuroria theksojnë se, për të rikthyer besimin e publikut, drejtësia jo vetëm duhet të zbatohet, por edhe të shihet se po zbatohet.
“Nga besimi i qytetarëve varet drejtpërdrejt edhe efikasiteti i punës sonë. Në një kohë kur informacioni qarkullon shpejt, detyra jonë është të jemi shembull i transparencës dhe llogaridhënies, njëkohësisht edhe shembull për ndershmëri.”, - deklaroi prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski.
“Transparenca e prokurorëve publikë nuk do të thotë komprometim i hetimeve apo zbulim i informacioneve të besueshme, por përkundrazi do të thotë informim në kohë, saktë dhe me përgjegjësi i publikut për punën e prokurorëve publikë në kuadër të mundësive ligjore dhe standardeve profesionale.”, - theksoi kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, Elvin Veli.
“Drejtësia nuk duhet vetëm të zbatohet, publiku duhet të besojë se ajo po zbatohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe me përgjegjësi. Në këtë proces mediat kanë një rol të rëndësishëm si ndërmjetës mes institucioneve dhe publikut më të gjerë.”, - u shpreh drejtoresha e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Irina Strezoski Trajkoska.
Megjithatë, edhe pse transparenca dhe komunikimi efektiv me publikun vlerësohen gjerësisht si të domosdoshme, kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski, vlerësoi se në praktikë ende ka prokurorë që kulturën e komunikimit e konsiderojnë si një detyrim shtesë dhe jo si pjesë integrale të punës së tyre. Ai rikujtoi gjithashtu numrin e madh të sulmeve ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit, ndaj pronës së tyre private, si dhe sulmet në internet, të cilat prekin veçanërisht gazetaret.
“Kemi raste të cilat me vite kanë mbetur pa epilog, ende nuk janë dënuar fajtorët për djegien e dy veturave të gazetarëve, akt ky që paraqet porosi direkte për t’ua mbyllur gojën. Gazetarët hulumtues shëtisin me sigurim për muaj të tërë gjatë hulumtimeve të tyre për të dyshuar të rangut të lartë për korrupsion dhe keqpërdorime me funksionin.”, - deklaroi kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
Gjykatësi Gzhegozh Borkovski, shprehu mbështetjen për përpjekjet e ndërmarra në drejtim të rritjes së transparencës, duke theksuar se bashkëpunimi në këtë fushë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Strategjia e komunikimit nuk është thjesht segment PR-i, por është tregues për funksionimin e ligjit. Ajo ndihmon qytetarët të kuptojnë gjyqësorin, pavarësinë dhe besueshmërinë e tij.”, - theksoi përfaqësuesi i Projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, Gzhegozh Borkovski.
Në konferencën “Nga strategjia në praktikë: Forcimi i komunikimit të Prokurorisë Publike me publikun” u prezantua edhe logoja e re institucionale, e cila synon të pasqyrojë identitetin e institucionit dhe orientimin e tij drejt standardeve evropiane.
REXHEP QAMILI
