Maqedoni

KShPK dhe IPA 2020 përmbyllën fushatën, “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”

03.06.2026 13:57

Çuçul tha se ky aktivitet është pjesë e një fushate më të gjerë për ngritjen e ndërgjegjësimit publik...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në bashkëpunim me projektin IPA 2020, edhe zyrtarisht e përmbylli fushatën “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”. Kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul, tha se ky aktivitet është pjesë e një fushate më të gjerë për ngritjen e ndërgjegjësimit publik mbi lobimin si një element i rëndësishëm i proceseve demokratike, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Ai theksoi se lobimi nuk duhet të shihet si një çështje e izoluar, por si një proces i lidhur ngushtë me transparencën në vendimmarrje, parandalimin e konfliktit të interesave, sjelljen etike dhe integritetin institucional. Sipas tij, fushata kishte për qëllim edhe identifikimin e sfidave që pengojnë zbatimin efektiv të Ligjit për Lobim.
 
“Qëllimi i kësaj fushate ishte rritja e vetëdijes për lobimin, pasi prej disa vitesh kemi një ligj për lobimin e miratuar, por ai në praktikë nuk ka qenë i zbatueshëm. Një pjesë e analizave tona treguan se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së njohurive të opinionit publik për çështjen e lobimit. Arsyeja e dytë lidhet me disa mangësi të ligjit aktual, për të cilat tashmë është formuar një grup punues që do të punojë në përmirësimin e tij.”, - deklaroi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
 
Në kuadër të kësaj nisme u organizuan edhe katër tryeza të rrumbullakëta me grupe të ndryshme interesi, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në kuadër të fushatës “Lobimi në Maqedoninë e Veriut”. Çuçul theksoi se zbatimi i kësaj fushate përkoi me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Lobim, të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim saktësimin e dispozitave të tij dhe harmonizimin me rregulloret e Bashkimit Evropian. Sipas tij, të gjitha propozimet dhe rekomandimet e dala nga këto diskutime do t’i adresohen grupit punues të formuar nga Ministria e Drejtësisë.
 
“E vlerësojmë këtë fushatë si mjaft të suksesshme. Ajo do të kontribuojë në rritjen e vetëdijes për lobimin dhe njëkohësisht është shumë e rëndësishme, sepse të gjitha rekomandimet e dala nga katër punëtoritë që organizuam me palët e interesuara në procesin e lobimit do t’i adresohen grupit punues. Vlerësojmë se në këtë mënyrë do të arrijmë të kemi një zgjidhje ligjore të përmirësuar.”, - theksoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
 
Nevoja për këtë fushatë lindi nga zbatimi i pamjaftueshëm i Ligjit për Lobim, i cili është në fuqi që nga viti 2022. Aktualisht, në vend janë të regjistruara vetëm tre organizata për lobim, ndërsa deri më tani nuk ka të dhëna për aktivitete konkrete lobimi.
 
REXHEP QAMILI