Rajon
Kosta porosi liderëve në Kosovë: Vendosni integrimin në BE si prioritet
03.06.2026 14:18
Kosta me mesazh të qartë për liderët politikë në Kosovë, u kërkoi atyre ta vendosin integrimin në BE si prioritet...

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, me mesazh të qartë për liderët politikë në Kosovë, u kërkoi atyre ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Ai këtë mesazh ua ka përcjellë në takimet e sotme në Prishtinë presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe liderëve opozitarë. Kosta gjithashtu ka theksuar nevojën për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale në Kosovë, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja dhe për të përmbushur zotimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
"Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I kam inkurajuar liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut.", ka shkruar Kosta në rrjetet sociale.
Haxhiu: Rruga e Kosovës drejt BE-së, interes strategjik
Ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, është diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë. Diskutuam për agjendën evropiane të Kosovës, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat, stabilitetin rajonal dhe rëndësinë e konsensusit kombëtar për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian. Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Ky orientim i qartë i qytetarëve tanë është forcë për vendin dhe bazë e sigurt për rrugën tonë evropiane.”, thekson ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
GYLTENE SINANI
