Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme, luftime të ashpra në Gjirin Persik dhe Liban
Situata në Gjirin Persik përshkallëzohet me shpejtësi...

Situata në Gjirin Persik përshkallëzohet me shpejtësi. Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka zmbrapsur një sulm të koordinuar iranian me raketa balistike dhe dronë. Paralelisht, në Bahrein janë aktivizuar sirenat e alarmit, ndërsa aeroporti ndërkombëtar në Kuvajt është mbyllur për shkak të goditjeve me dronë.
Komanda Qendrore e ShBA-së njoftoi gjithashtu se ka goditur një tanker nafte që lundronte drejt Iranit dhe dyshohej se tentonte të thyejë bllokadën detare. Nga ana tjetër, Irani deklaron se ndërmerr sulme ndaj caqeve armike si kundërpërgjigje ndaj veprimeve ushtarake amerikane në ishujt e Ngushticës së Hormuzit.
Eskalimi më i fundit vjen në kushtet e ngecjes së negociatave për armëpushim. Sekretari i Shtetit, Marko Rubio, tha se udhëheqësi suprem Khamenei është gjithnjë e më i përfshirë në diskutimet lidhur me konfliktin dhe negociatat.
“Kushti numër një është që ata duhet të rihapin ngushticën. Rihapja e ngushticës do të thotë që anijet mund të lundrojnë në ujërat ndërkombëtare pa u qëlluar, pa paguar ‘taksë kalimi’... Irani është i sanksionuar sepse ka uranium të pasuruar në nivel të lartë dhe për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore. Nëse pranojnë të heqin dorë nga këto gjëra, do të ketë lehtësim të sanksioneve në lidhje me përkushtimin dhe përputhshmërinë e tyre.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Demokratët në Senat kanë drejtuar tone të ashpra ndaj sekretarit të shtetit, Marko Rubio, dhe kanë akuzuar presidentin Tramp se është futur në luftë në emër të Izraelit. Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përfundimin e konfliktit.
“Kina shpreson që të gjitha palët e përfshira ta vlerësojnë mundësinë për paqe, të respektojnë detyrimet për armëpushim dhe të mbeten të përkushtuara ndaj zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes mjeteve politike dhe diplomatike.”, - theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.
Luftimet vazhdojnë edhe në Liban, pavarësisht armëpushimit. Ushtria izraelite nuk ka kursyer as spitalet, duke vrarë pacientët dhe personelin mjekësor në qytetin bregdetar Tajër.
“Ne po bënim punën tonë normalisht me pacientët dhe papritur ndodhi kjo. Armiku ynë është Izraeli që sulmon të gjithë pa dallim, përfshirë spitalet edhe gazetarët.”, - u shpreh drejtori i spitalit “Jabal Amel”, Uael Mroueh.
Pas seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara sërish dënuan luftimet e vazhdueshme në Liban dhe krizën në sistemin shëndetësor.
“Pavarësisht armëpushimit që është në fuqi, armiqësitë nuk kanë pushuar. Njerëzit në të gjithë Libanin, veçanërisht gratë dhe vajzat, përballen me nivele të tmerrshme dhune, zhvendosjeje dhe humbjesh njerëzore. Urdhrat për evakuim të detyruar në Bejrut dhe sulmet intensive në jug të Libanit shtuan një valë të re pasigurie që krijon panik dhe shqetësim.”, - deklaroi përfaqësuesja e Fondit të OKB-së për Liban, Anandita Filipose.
Trampi i ka kërkuar Netanjahut të ndalojë luftimet në Liban, duke theksuar se përshkallëzimi i konfliktit ndikon negativisht në marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Iranit. Një nga kërkesat e Iranit në negociatat me ShBA-në është edhe ulja e tensioneve nga ana e Izraelit në Liban.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve, ushtria izraelite ka vazhduar me sulme intensive në terren dhe ka kërkuar nga banorët të evakuohen dhe të lëshojnë vendet e tyre në Libanin Jugor. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
