LSDM - VMRO-DPMNE, përplasje për rastin e arrestimit të Bogoevit

03.06.2026 15:31

Dy partitë e bllokut politik maqedonas, VMRO-DPMNE dhe LSDM...

Dy partitë e bllokut politik maqedonas, VMRO-DPMNE dhe LSDM, kanë vazhduar me përplasjen e tyre për rastin e arrestimit të ish-drejtorit të Doganave, Stefan Bogoev, kuadër i LSDM-së.

Sipas partisë në pushtet VMRO-DPMNE, rasti Bogoev është treguesi më i mirë, i keqqeverisjes së LSDM-së dhe keqpërdorimit të parave publike, për çka përgjegjësi duhet të ketë.

“Ish-nënkryetari i LSD-së dhe ish-drejtori i Doganave, si dhe ish-kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, është arrestuar nën dyshimin për manipulim të tenderëve për mirëmbajtjen e higjienës së jashtme në pikat kufitare dhe terminale. Shumica e tyre janë fituar nga ndërmarrje publike, dhe dy tenderë të fituar nga një kompani nga Manastiri janë me vlerën më të lartë dhe arrijnë në rreth 350 mijë euro. Sipas akuzave, ai manipuloi tenderë së bashku me një person tjetër, Aleksandar Spirkovski, me nofkën Xhemo nga Prilepi. Ai ishte ndaluar më parë si pjesë e aferës së spitalit të Prilepit kur Prokuroria Themelore Publike hapi një hetim për operacionet financiare të spitalit. Kjo është fytyra e vërtetë e LSD-së. Afera, tenderë, zhvatje dhe krim.”, - deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.                                                 

Por, nga LSDM-ja, këtë arrestim të Bogoevit e quajnë si të kurdisur nga ana e një gjyqësori partiak, dhe se tanimë nuk ka person i cili beson në këtë gjyqësor, dhe nuk ka person i cili mund të thotë se kjo është e vërtetë apo është ende një rast i sajuar.

“Përndjekje politike, një përpjekje për të defokusuar nga kritikat që vijnë nga Bashkimi Evropian, pasi u konfirmua edhe një herë se Maqedonia po qëndron në vend për shkak të krimit dhe korrupsionit të Qeverisë dhe dështimit për të zbatuar reformat?. Në vend të institucioneve të pavarura, shohim arrestime nga kryeministri Mickoski, gjë që konfirmon dyshime serioze për ndikim të plotë politik në sistemin gjyqësor. Kjo teknikë, së pari një njoftim, pastaj një arrestim, pastaj një fushatë kundër opozitës - është praktikuar nga Vuçiqi për vite me radhë. Mickoski po punon edhe këtu sipas parimit të kopjimit dhe ngjitjes. Ndërsa ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbahet përgjegjës.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.                                                                     

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lëshoi një Urdhër për të zhvilluar një procedurë hetimore kundër katër personave. Sipas Prokurorisë në fjalë, të dyshuarit akuzohen për veprat penale: Keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënie kontrate për prokurim publik ose partneritet publik-privat; Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm dhe Dhënia e shpërblimit për ndikim të paligjshëm.

Ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën nga korriku 2023 deri në mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për dhënien e kontratave për prokurim publik për mirëmbajtjen e higjienës së jashtme në pikat kufitare dhe terminale, me ç'rast duke favorizuar një operator të caktuar ekonomik dhe duke kufizuar konkurrencën, i kanë mundësuar personit juridik të fitojë një përfitim të paligjshëm të pasurisë në shumë prej 18.479.692 denarësh. (Fitim Kryeziu, TVM2)