Rusia godet Ukrainën me sulm masiv ajror

03.06.2026 15:55

Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore të luftës...

Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore të luftës, duke lëshuar mbi 70 raketa dhe më shumë se 650 dronë. Sulmet goditën kryesisht Kiev, Dnipro, Harkiv, Sumi dhe rajone të tjera të Ukrainës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

Të paktën 22 persona u vranë, përfshirë dy fëmijë, dhe rreth 130 u plagosën.

Shërbimet e emergjencës, policia dhe ekipet e shpëtimit punojnë për të ndihmuar të mbijetuarit dhe për të shuar zjarret në zonat e goditura.

“Gjithçka u shemb dhe mbeta pa apartamentin tim në një çast. Por, falënderoj Zotin që të gjithë mbijetuan.”, - tha një banore e Sumit, Natalia Kuklenko.

“Më kujtohet vetëm se po fluturonte një dron dhe bënte zhurmë pa pushim dhe pastaj ndodhi një shpërthim. Xhamat u thyen dhe ranë të gjithë poshtë.”, - tha një banor i Harkivit, Serhi.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, fajëson vendet që furnizojnë Rusinë me komponentë për armë, duke i quajtur bashkëfajtore në sulmet dhe vrasjet në Ukrainë, dhe kërkon nga BE-ja sanksione më të ashpra për të kufizuar industrinë ushtarake ruse dhe shmangien e sanksioneve.

“Çdo një nga këta dronë dhe të gjitha llojet e raketave ruse në përgjithësi nuk mund të prodhohen pa komponentë të importuar nga vende të tjera. Kjo do të thotë se në çdo sulm të tillë ka, ndoshta jo me vetëdije, por gjithsesi bashkëfajësi nga ata që punojnë për Rusinë. Ata që i japin Rusisë para, që e ndihmojnë të shmangë sanksionet dhe të gjejë jo vetëm një apo dy, por mijëra komponentë. Pa to, prodhimi ushtarak rus thjesht do të ndalej.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Kremlini: Përgjigjet tona do të jenë sistematike

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit tha se Rusia do të vazhdojë të godasë Ukrainën në mënyrë sistematike, si hakmarrje për sulmet e Kievit ndaj një terminali nafte dhe një baze detare në Shën Petersburg, pak para fillimit të forumit ekonomik të organizuar nga Vladimir Putin.

“Do të doja t’ju kujtoja deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila thotë se përgjigjet tona do të kenë natyrë sistematike, dhe në fakt ato tashmë janë të tilla.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Shën Petersburgut ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 6 qershor dhe është cilësuar si “Davos-i” rus. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)