Botë

Arrihet marrëveshje armëpushimi Izrael – Liban, Izraeli shkel armëpushimin dhe nuk tërheq trupat

04.06.2026 15:05

Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi për të gjithë territorin libanez...

Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi për të gjithë territorin libanez, e kushtëzuar me ndërprerjen e sulmeve nga Hezbollah-u dhe krijimin e zonave të sigurisë në jug të lumit Litani. Pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite edhe me tej qëndron në Liban, prandaj Hezbollahu e hodhi poshtë propozimin, duke deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme duhet të fillojë me tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territori libanez. Ndërkohë, në jug të vendit janë regjistruar sulme të reja nga ana e izraelit, duke e bërë këtë marrëveshje shumë të brishtë, megjithëse sapo ka hyrë në fuqi.
 
“Kjo marrëveshje përfaqëson mishërimin e vendimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Libanit.”, - deklaroi ambasadorja e Libanit në ShBA, Nada Hamadeh Moavad.
 
"Tani ekziston një marrëveshje mes Izraelit dhe Libanit, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ushtria Libaneze do të marrë gradualisht kontrollin e jugut të vendit. Nuk do të lejojmë më që Hezbollahu të rikthehet pas tërheqjes së Izraelit, siç ka ndodhur për dekada.", - theksoi ambasadori i Izraelit në ShBA, Jeciel Leiter.
 
“ShBA-ja theksoi synimin për të mbështetur Forcat e Armatosura Libaneze, me qëllim forcimin e kapaciteteve të tyre dhe mundësimin e ushtrimit efektiv të sovranitetit në të gjithë territorin e Libanit.”, - u shpreh shefi i Kabinetit të Departamentit të Shtetit, Dan Holler. 
 
Tramp: Me Iranin pritet marrëveshje këtë fundjavë
 
Ndërkohë, edhe tensionet me Iranin mbeten në qendër të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Sipas kreut te Shtëpisë së Bardhë, negociatat me Teheranin shkojnë në drejtim pozitiv dhe se një marrëveshje mund të arrihet gjatë fundjavës.  Në të njëjtën kohë, Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA ka miratuar një rezolutë që kufizon kompetencat ushtarake të presidentit Tramp, duke kërkuar ndalimin e veprimeve ushtarake kundër Iranit.
 
“Çdo gjë ka një arsye. Ne i goditëm mjaft fort një natë më parë, madje edhe mbrëmë. Disa njerëz mund të thonë se ata u provokuan disi, sepse ne ndërmorëm një veprim të fortë për një arsye tjetër. Kështu që ata reaguan. Në fakt, vetë negociatat kanë shkuar shumë mirë. Mund të ndodhë, nëse ndodh, por mund edhe të mos ndodhë, kush e di. Megjithatë, nëse ndodh, kjo mund të jetë gjatë fundjavës.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Teherani, nuk ka asnjë përparim në negociata
 
Nga ana tjetër, Teherani mohon deklaratat e Trampit dhe thotë se nuk ka asnjë përparim konkret në negociata, ndërsa sulmet janë intensifikuar sërish në Gjirin Persik. Në një mesazh me rastin e përvjetorit të vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, kleriku i Teheranit paralajmëroi për tensione dhe destabilizim të brendshëm.
 
“Armiku keqdashës, pasi pësoi humbje nga duart e forcave të armatosura, veçanërisht si rezultat i goditjes vendimtare si në fushën e betejës ashtu edhe në rrugë, po përjeton një poshtërim të thellë dhe domethënës.”, - theksoi kleriku iranian, Mohamad Javad Haj Ali Akbari.
 
Çështjet e sigurisë, me fokus pasojat e situatës në Lindjen e Mesme dhe konfliktin me Iranin, ishin gjithashtu ndër temat kryesore në takimin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian.
 
FARIJE DAUTI BAKIU