Maqedoni
Propozim-ligji për përfaqësim në Kuvend, nis procedura, votimi me Badinter të vogël
04.06.2026 15:39
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë nisi procedurën e rregullt parlamentare për miratim....

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë nisi procedurën e rregullt parlamentare për miratim. Përplasjet midis pushtetit dhe opozitës nuk kanë munguar as në komitetin për marrëdhënie midis bashkësive, ku u votua që ligji të miratohet me Badinter të thjeshtë, edhe përkundër këmbënguljes së opozitës që kjo të bëhet me Badinter absolut të të gjithë deputetëve, që u përkasin bashkësive joshumicë. Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, sqaroi se projekt-ligji bëhet detyrim ligjor dhe Qeveria do ta ndjekë zbatimin e ligjit. Në rast të shkeljeve mund të vijojë edhe shkarkimi i drejtuesit të institucionit.
“Do të kenë obligim ligjor që çdo drejtori ose çdo dikaster përbrenda 30 ditëve t’i raportojë komisionit dhe agjencisë për nivelin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve. Funksionari që udhëheq një dikaster, në rast se nuk zbaton ligjin, ai ka përgjegjësi politike, duhet të japë llogari para Qeverisë, para komisionit dhe në rast mosrespektimi të ligjit, të japë përgjegjësi politike, që nënkupton deri në shkarkimin e një funksionari, për shkak të mosrespektimit të ndonjë norme ligjore kushtetuese.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi.
Nga Fronti Evropian votimin me Badinter të vogël, që nënkupton vetëm votën e deputetëve joshumicë të pranishëm në seancë, e cilësuan si përpjekje për majorizimin e shqiptarëve në institucione.
“Ky ligj duhet të votohet me Badinter të madh, pasi që është njëri nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, për funksionalitetin dhe ekzistimin e këtij sistemi. Shpresoj që kjo ditë të mos jetë edhe zyrtarisht edhe fillimi i shkatërrimit të sistemit unitar të shtetit, pasi që ka ardhur koha që ky sistem ndoshta edhe të ndryshohet. Gaboni nëse jemi naivë, se nuk e kuptojmë nga e shpini rrugën.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Në të njëjtën vijë edhe deputetët e Lidhjes Shqiptare të Ziadin Selës, ASh-së, dhe deputetit socialdemokrat Fatmir Bytyqi. Propozim-ligji, sipas pretendimeve të pushtetit, parashikon që përfaqësimin ta mbështesë në të dhënat reale: në regjistrimin e fundit të popullsisë, në gjendjen reale të institucioneve dhe në nevojat konkrete për punësime. Vetëdeklarimi i përkatësisë etnike do të jetë vendim i lirë i qytetarit. Në rast të konstatimit të keqpërdorimit të identitetit etnik, kandidati refuzohet dhe nuk mund të aplikojë në konkurse për tre muaj. Propozim-ligji është në lexim të parë. Shumica fton deputetët e të gjitha partive që ta mbështesin këtë propozim-ligj.
MERAL ISMAILI
