Bie çmimi i naftës pas sinjaleve për ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme

04.06.2026 18:52

Çmimi i naftës regjistroi sot një rënie, pasi Izraeli dhe Libani ranë dakord të rinovojnë armëpushimin...

Çmimi i naftës regjistroi sot një rënie, pasi Izraeli dhe Libani ranë dakord të rinovojnë armëpushimin, duke ulur frikën e investitorëve për përshkallëzim të konfliktit në rajon, raportoi AP.

Një tjetër zhvillim që ndikoi në tregje ishte votimi në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së për të kufizuar veprimet ushtarake amerikane kundër Iranit, i cili u pa si një hap drejt uljes së tensioneve.

Si pasojë, çmimi i naftës “Brent” ra në 95,39 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI zbriti në 93,72 dollarë për fuçi.

Investitorët besojnë se mund të rihapet Ngushtica e Hormuzit, rruga kryesore nga ku kalon një pjesë e madhe e naftës botërore.

Nëse kjo ndodh, furnizimi me naftë do të normalizohet dhe çmimet mund të bien më tej.

Në SHBA, tregjet e aksioneve u paraqitën të paqëndrueshme. Disa kompani të mëdha pësuan humbje të forta, pavarësisht rezultateve të mira financiare.

Në Evropë, shumica e bursave shënuan rritje, ndërsa në Azi tregjet ranë, kryesisht për shkak të shitjeve të aksioneve të kompanive teknologjike.

Edhe pse lufta në Lindjen e Mesme dhe inflacioni po krijojnë pasiguri për ekonominë botërore, vlera e aksioneve në bursat kryesore vazhdon të jetë shumë e lartë, afër niveleve më të larta të regjistruara ndonjëherë.