Botë

Lufta e Rusisë në Ukrainë, Zelenski i dërgoi letër të hapur Putinit për negociata

05.06.2026 14:41

Presidenti i Ukrainës i dërgoi një letër presidentit rus Vladimir Putin...

Presidenti i Ukrainës i dërgoi një letër presidentit rus Vladimir Putin, në të cilën propozon negociata të drejtpërdrejta për paqe, armëpushim dhe një takim në një vend neutral si hap drejt përfundimit të luftës. Zelenski theksoi se Ukraina është e gatshme të ndalojë plotësisht armiqësitë dhe të nisë procesin diplomatik.
 
“Mjaft më me luftën. Ukraina propozon t’i jepet fund kësaj lufte. Kjo duhet të bëhet me ndershmëri, dinjitet dhe me garanci që lufta të mos shpërthejë sërish. Propozoj një takim. Të gjithë i dëgjuan përfaqësuesit tuaj, duke buzëqeshur, teksa thoshin se unë mund të vij në Moskë. Ka vende që tradicionalisht kanë pritur liderë për të zgjidhur çështje lufte dhe paqeje. Zvicra, Turqia dhe vendet e botës arabe, shumë prej tyre janë të afta dhe të gatshme të organizojnë një takim të tillë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
“Nëse vërtet doni negociata, ejani në Moskë!”, ishte përgjigjja e menjëhershme e Kremlinit, ndërsa pritet që Putini ta shqyrtojë në detaje letrën. Nga Forumi Ndërkombëtar në Shën Petersburg, presidenti rus hodhi poshtë pretendimet për një kërcënim rus ndaj Evropës, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe pjesë e një narrative që synon të justifikojë rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe mbështetjen e mëtejshme për Kievin.
 
"Çfarë interesi do të kishte Rusia të sulmonte Evropën dhe të hynte në luftë me NATO-n? Kjo është krejtësisht e pakuptimtë. Madje, nuk bëhet fjalë vetëm për një absurditet, por për një provokim të qëllimshëm për të krijuar një kërcënim që në realitet nuk ekziston dhe për t’i detyruar qytetarët e vendeve të tyre të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
 
Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, e mbështet idenë e dialogut të drejtpërdrejtë mes presidentëve. Në të njëjtën kohë, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan miratoi një projektligj për ndihmë ndaj Ukrainës në vlerë deri në 9 miliardë dollarë, si dhe sanksione të reja kundër Rusisë.
 
“Mendoj se kemi pasur shumë ndikim në këtë proces. E di saktësisht se çfarë po bëjnë, por do të ishte e shkëlqyer nëse ata mendojnë se duhet t’i japin fund kësaj.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Lufta vazhdoi me intensitet edhe gjatë 24 orëve të fundit, ku sipas autoriteteve u neutralizuan rreth 200 dronë dhe dy raketa në disa rajone. Ndërkohë, një dron i ngjashëm me ata që përdoren në frontin ukrainas shpërtheu në portin rumun të Konstancës në Detin e Zi. Ngjarja vjen vetëm një javë pasi një tjetër dron u përplas në një ndërtesë banimi në Rumani, duke plagosur dy persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIU