Botë

Ambasada amerikane në Prishtinë: Kosova të përfshihet në gazin amerikan

05.06.2026 15:21

Ambasada amerikane në Kosovë ka publikuar një mesazh nga e Ngarkuara me Punë e saj...

Ambasada amerikane në Kosovë ka publikuar një mesazh nga e Ngarkuara me Punë e saj, Anu Pratipati, që Kosova të përfshihet në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm të mbështetura nga ShBA-ja. Sipas saj, Furnizimi me Energji i Kosovës nuk po ecën në hap me rritjen e kërkesës. Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe kërkesës, Kosova do të jetë gjithnjë e më e varur nga fqinjët e saj për energji, vlerëson Pratipati. 
 
“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova duhet t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror që janë planifikuar në Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime amerikane të energjisë për Kosovën. Gazi natyror i lëngshëm amerikan (LNG) do të diversifikonte furnizimin me energji të Kosovës, do të plotësonte burimet vendore të energjisë dhe do të shtonte një hallkë tjetër në partneritetin ekonomik gjithnjë në rritje mes ShBA-së dhe Kosovës,”, thekson e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Pratipati. 
 
Sipas saj, Kosova duhet të veprojë shpejt për të ndjekur këtë partneritet, sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme kërkon kohë. Eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të qarkullojnë përmes projekteve rajonale, si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova mund të lidhet gjithashtu me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin në Aleksandrupolis të Greqisë me Shkupin, në Maqedoninë e Veriut.
 
Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës: Gazi amerikan, prioritet strategjik
 
Ndërkohë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga ShBA-ja dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar. 
 
“Përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një orientim i tillë do të forconte edhe më tej bashkërendimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik. Në Evropën Juglindore po zhvillohen projekte të rëndësishme për infrastrukturën e gazit natyror të lëngshëm dhe ndërlidhjet energjetike, të cilat po krijojnë mundësi të reja për furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me gaz natyror. Nëse nuk vepron me kohë, Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre korridoreve të reja energjetike rajonale.”, theksojnë nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës. 
 
Sipas saj, sfida kryesore nuk qëndron më te disponueshmëria e gazit, por te gatishmëria e Kosovës për të përfituar nga këto mundësi. Kjo kërkon investime në infrastrukturë, përmirësim të kuadrit ligjor dhe rregullator, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët strategjikë.


FITORE NAGAVCI