Maqedoni

Eurointegrimet, BE kërkon përmbushjen e obligimeve

05.06.2026 16:02

Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përshpejtimin e integrimit evropian...

Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përshpejtimin e integrimit evropian, zhvillimin ekonomik dhe përparimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Konferencës së 23-të të Komisioneve Parlamentare për Integrim Evropian dhe Çështje Evropiane, e cila u mbajt sot në Strugë.  Euroambasadori Mihalis Rokas porositi se Bashkimi Evropian është fuqishëm i përkushtuar për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por se detyrimet e marra përsipër në vitin 2022, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese, duhet të përmbushen.
 
“Të gjithë e dimë se angazhimet e marra në vitin 2022 duhet të zbatohen dhe ekziston një përkushtim i fortë që Maqedonia e Veriut të fillojë procesin e anëtarësimit. Nuk ka asnjë dyshim se vendi i përket familjes evropiane. Po punojmë aktivisht për të përmbushur kushtet e nevojshme dhe për të ecur përpara.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas. 
 
Bashkëpunimi rajonal, kyç për integrimin në BE
 
Përfaqësues nga parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore diskutuan për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Vëmendje e veçantë iu kushtua propozimit gjermano-francez për të ashtuquajturin integrim të shkallëzuar ose fazor të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
 
“Si rajon, nëse kemi koordinim të mirë dhe përparim, kjo do ta lehtësojë komunikimin tonë me Bashkimin Evropian, veçanërisht pas propozimeve më të fundit të Francës dhe Gjermanisë për të ashtuquajturin integrim të shkallëzuar në projekte dhe sektorë të ndryshëm. Veçanërisht do të veçoja tregun e përbashkët rajonal dhe atë evropian si një tërësi. Nëse arrijmë të integrohemi në atë treg të vetëm evropian, kjo do të jetë një shtysë e fuqishme për potencialet ekonomike të të gjitha vendeve të rajonit.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski. 
 
Lidhur me propozimin e Gjermanisë dhe Francës, Jelena Milosh, kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit Kroat deklaroi se ky propozim përcakton rrugën drejt integrimit të plotë në BE.
 
“Sa i përket propozimit të Gjermanisë dhe Francës, mendoj se çdo vend që zbaton reforma duhet ta përcaktojë vetë rrugën më të mirë drejt BE-së. Integrimi në tregun e përbashkët është i dobishëm dhe përbën një forcë, por nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i plotë dhe integrimi i plotë në Bashkimin Evropian, dhe në këtë rrugë Kroacia do të vazhdojë të japë mbështetje të fortë.”, - u shpreh kryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit Kroat, Jelena Milosh. 
 
Në konferencë u miratua edhe një deklaratë e përbashkët me përfundime dhe rekomandime për partneritet rajonal dhe reforma të përbashkëta në funksion të integrimit evropian.
 
ARMEND MURSELI