Botë

Nuk ka armëpushim, vazhdon lufta në Liban, Hezbollahu kërkon nga Izraeli të tërheqë ushtrinë

05.06.2026 16:28

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për armëpushim mes Izraelit dhe Libanit...

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për armëpushim mes Izraelit dhe Libanit, luftimet në terren vazhdojnë, pasi Hezbollahu e hodhi poshtë propozimin, duke e cilësuar marrëveshjen si një nismë që i shërben vetëm interesave të Izraelit dhe duke thënë se nuk pranon një marrëveshje ku ushtria izraelite do të qëndrojë në territoret libaneze.
 
Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, deklaroi se ka shenja përparimi në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Liban, pavarësisht refuzimit publik.
 
“Do të ishte mirë nëse Libani do të kishte paqe. Libani ka qenë nën sulm për shumë vite, gjithmonë si pala më e dobët. Do të ishte mirë nëse kjo do të mund të merrte fund.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Pavarësisht toneve optimiste nga Uashingtoni, situata në terren mbetet e paqëndrueshme. Izraeli gjatë 24 orëve ka bombarduar intensivisht Libanin jugor, duke vrarë dhjetëra civilë, në mesin e tyre edhe një familje 6 anëtarëshe.
 
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se nuk do ta çojë në Kneset për votim marrëveshjen e armëpushimit me Libanin për sa kohë që Hezbollahu nuk pranon kushtet e sigurisë së Izraelit.
 
“Për momentin nuk ka marrëveshje, çdo vendim varet nga sjellja e Hezbollahut dhe ndalimi i sulmeve ndaj Izraelit.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ndërkohë, Hezbollahu e konsideron marrëveshjen të njëanshme dhe në favor të Izraelit, duke kërkuar ndërprerjen e plotë të sulmeve izraelite në Liban dhe tërheqjen e forcave izraelite nga zonat kufitare në territorin libanez, gjë që për Izraelin është e papranueshme, pasi kryeministri Benjamin Netanjahu ka deklaruar se ushtria do të qëndrojë për sigurinë e Izraelit.
 
Edhe armëpushimi në Gazë mbetet i brishtë, pasi forcat ajrore izraelite kanë bombarduar një zonë banimi në fshatin Al-Zauaida në Rripin qendror të Gazës, si dhe disa rajone të tjera. Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gazë, janë raportuar sulme të përsëritura, me pasoja të rënda për civilët.
 
FARIJE DAUTI BAKIU