Lindja e Mesme, sulme të reja midis SHBA-së dhe Iranit

06.06.2026 17:47

Përleshjet në Lindjen e Mesme vazhdojnë...

Përleshjet në Lindjen e Mesme vazhdojnë pavarësisht përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit katërmujor. Forcat amerikane kanë kapur disa raketa balistike iraniane dhe dronë të lëshuar drejt Ngushticës së Hormuzit dhe Gjirit Persik.

Teherani ka lëshuar shtatë raketa balistike drejt Kuvajtit dhe Bahreinit, ndërsa ushtria amerikane më pas ka goditur pozicione bregdetare në Iran. Në një intervistë për televizionin amerikan NBC, Donald Trump deklaroi se Irani ende zotëron kapacitete ushtarake, por ka pësuar humbje të mëdha.

“Shumica e fabrikave të dronëve janë shkatërruar. Megjithatë, ata ende kanë kapacitete. Kanë disa raketa dhe dronë. Do të thosha se, në përqindje, u kanë mbetur rreth 22 për qind e raketave. Kjo është ende një sasi e konsiderueshme, por jo ajo që kishin kur filluam sulmet” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Ministri i Jashtëm i Iranit iu përgjigj komenteve të presidentit të Libanit, Xhozef Aun, i cili kishte deklaruar se Teherani po e përdor vendin e tij si kartë negociuese në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

“Nga komentet e zotit Aoun, mund të krijohet përshtypja se Irani është ai që ka pushtuar një të pestën e Libanit, ka zhvendosur një të katërtën e popullsisë libaneze dhe e bombardon vendin e tij çdo ditë. Nëse Libani do të ishte një kartë negociuese për Iranin, ne do të kishim arritur marrëveshje shumë kohë më parë”, - deklaroi ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi.

Një zyrtar i lartë iranian tha se një marrëveshje e mundshme paqeje varet nga fakti nëse administrata Trump do të pranojë të zhbllokojë 24 miliardë dollarë të aseteve iraniane të ngrira, duke paralajmëruar njëkohësisht për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në një luftë më të gjerë rajonale. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)