Transformimi digjital, verifikimi i licencave në mënyrë elektronike

07.06.2026 15:46

Me një klikim drejt të gjitha licencave...

Me një klikim drejt të gjitha licencave që lëshojnë institucionet publike. Ka nisur gradualisht digjitalizimi, i cili synon t’u mundësojë qytetarëve, kompanive, inspektorëve dhe të gjithë të interesuarve që në kohë reale të marrin të gjitha informacionet mbi vlefshmërinë e dokumenteve, pavarësisht nëse bëhet fjalë për mjekë, kompani, hotele apo klube nate.

Në Ministrinë e Transformimit Digjital sistemi tashmë është implementuar, ndërsa po punohet edhe me Ministrinë e Ekonomisë, institucion që lëshon numrin më të madh të lejeve dhe autorizimeve.

Megjithatë, Andonovski pranon se ka rezistencë nga një pjesë e institucioneve, të cilat ende nuk po heqin dorë nga dokumentacioni në letër.

“Ky model nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në Ministrinë e Transformimit Digjital. Përkundrazi, ai është një model që mund të zbatohet edhe në shumë fusha të tjera. Licencat për objektet hotelierike, transportin, logjistikën, sigurimet, hotelet, drejtësinë, mjedisin jetësor, urbanizmin dhe lejet e ndërtimit janë vetëm disa prej tyre. Kudo që ekziston një licencë, leje ose autorizim që publiku duhet të ketë mundësi ta verifikojë, ekziston mundësia për zbatimin e licencës së mençur (Smart License). Aktualisht, në një fazë të avancuar të zhvillimit, të cilën presim ta përfundojmë deri në fund të muajit qershor, është projekti për licencat që lëshohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për klubet e natës, diskotekat, kabaretë, baret dhe hotelet.” – u shpreh Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski.

Më 12 qershor, Andonovski do të udhëtojë në Bruksel për negociatat lidhur me iniciativën “Roaming si në shtëpi”, të Komisionit Evropian, e cila synon përdorimin e shërbimeve celulare në vendet e Bashkimit Evropian me tarifa të njëjta ose të ngjashme me ato në Maqedoni.

Nga ministria pohojnë se kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe presin që në fillim të vitit të ardhshëm qytetarët të mund të flasin dhe të përdorin internetin lirisht në vendet e BE-së, sikur të ishin në vendin e tyre.

“Pres që gjatë këtij viti të përfundojnë negociatat dhe të përcaktohet teksti përfundimtar i marrëveshjes. Më pas, ajo duhet të kalojë në seancë qeveritare, të ratifikohet në Kuvend dhe ne të jemi të gatshëm që të parët në Ballkanin Perëndimor ta nisim këtë proces. Shpresa ime e sinqertë është që kjo të ndodhë në janar të vitit 2027.” – deklaroi Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski.

Çdo shtet i Ballkanit Perëndimor po negocion veçmas me Komisionin Evropian, ndërsa zbatimi i kësaj nisme do të varet nga përmbushja e detyrimeve përkatëse, përfshirë ndryshimin dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe aktet e tjera përkatëse të Bashkimit Evropian. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)