Maqedoni

Lutkov: Vazhdojnë punimet për Sallën Universale

08.06.2026 13:54

Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, informoi se po vazhdojnë investimet dhe aktivitetet ndërtimore në sektorin e kulturës....

Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, informoi se po vazhdojnë investimet dhe aktivitetet ndërtimore në sektorin e kulturës. Ai tha se rindërtimi i Sallës Universale në Shkup po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe pritet të përfundojë brenda afatit të caktuar. Sipas tij, po punohet gjithashtu në sigurimin e mbështetjes financiare për vazhdimin dhe realizimin e projekteve kulturore në nivel lokal.
 
“Një kënaqësi e veçantë për mua është realizimi dinamik dhe i suksesshëm i rindërtimit të Sallës Universale në Shkup. Me ritmin aktual të punimeve, rindërtimi pritet të përfundojë brenda afatit të paraparë në kontratë, ndërsa rezultatet e para të dukshme do të shihen që në periudhën e ardhshme. Sa i përket dotacioneve kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale, realizimi i mjeteve financiare të siguruara është përfunduar plotësisht deri në qershor të vitit 2026. Me ribalancin e buxhetit presim të sigurohen mjete shtesë, të cilat do të mundësojnë përfundimin me sukses të projekteve nga thirrja e parë e vitit 2024, si dhe një realizim dukshëm më të madh të projekteve nga thirrja e dytë e vitit 2025.”, - deklaroi ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.
 
Çestoeva: Po punohet në rikonstruimin e Çarshisë në Shkup
 
Gjithashtu u bë e ditur se po vazhdojnë punimet për restaurimin dhe revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. 
 
“Për momentin po kryhen punime për rikonstruimin e Çarshisë së vjetër të Shkupit, por kjo është në kompetencë të komunës së Çairit. Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka dhënë lejen e konservimit dhe është respektuar tërë procedura ligjore.”, - theksoi Vesella Çestoeva nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. 
 
Sipas autoriteteve, këtë vit Ministria e Kulturës disponon me një buxhet prej 5 miliardë denarësh, prej të cilëve 420 milionë denarë janë dedikuar për realizimin e investimeve kapitale në sektorin e kulturës.
 
REXHEP QAMILI