Tiranë, vazhdojnë protestat, kërkohet qeveri teknike
Të mbledhur prej 8 ditësh para Kryeministrisë...

Të mbledhur prej 8 ditësh para Kryeministrisë, protestuesit artikuluan për herë të parë deklarata për krijimin e një partie politike, kërkesën për qeveri teknike apo edhe thirrën një protestë mbarëkombëtare të mërkurën e 10 qershorit.
“Të krijojmë një parti politike! Të ngremë një grup themelues dhe ta çojmë në Gjykatën e Tiranës!”.
“Mos bini viktimë, politika na ka shkelur për 35 vite. Mos u dorëzoni, kush ka fëmijë jashtë dhe kush ka halle të vijë këtu, derisa të ketë qeveri teknike.”.
“Shqipëria nuk ka shtet, ka dy figura antikombëtare, me emrin Sali Berisha dhe Edvin Rama.”.
Për herë të parë në shesh ishte një gomone për të simbolizuar emigrimin e shqiptarëve ndër vite.
Fjalimet për diasporën dalluan me qytetarët që bëjnë thirrje emigrantëve t’i bashkohen protestës.
“Është koha të kthejmë fëmijët tanë nga emigracioni! Shqipëria u takon vetëm atyre! Fëmijët tanë duhet të kthehen në Shqipëri!”.
“Nuk është emigrimi zgjidhje, është skllavërim. Nuk është kush i lumtur në emigrim. I lumtur është në vendin e vet, në tokën e vet. Sali Berisha, Edi Rama, duhet të shkojnë në burg.”.
“Çfarë ka bërë shteti i Edi Ramës për mërgatën? Le të bëhemi ne këtu në shesh 8.001 njerëz, 1 milion njerëz.”.
Protesta ende nuk e ka një grup organizator, ndërsa pritet të vijojë edhe mbrëmjen e sotme në Tiranë, qytete të tjera dhe në diasporë. (Luljeta Ndoka, TVM2)
