Filipine, 32 të vdekur nga tërmeti
32 persona kanë humbur jetën si pasojë e një tërmet me magnitudë 7.8...

32 persona kanë humbur jetën si pasojë e një tërmet me magnitudë 7.8 që goditi brigjet e ishullit Mindanao në jug të Filipineve.
Tërmeti ndodhi në orën 07:37 sipas kohës lokale të së hënës, duke shkaktuar alarme për cunami në Filipine, Indonezi, Japoni dhe Australi.
Disa prej këtyre paralajmërimeve u anuluan disa orë më vonë. Videot tregojnë shembje ndërtesash, përfshirë një restorant të zinxhirit të ushqimit të shpejtë Jollibee që u reduktua në rrënoja.
Në disa zona janë regjistruar edhe rrëshqitje dheu. Sipas autoriteteve, më shumë se 100 persona janë plagosur në disa provinca, pothuajse dy duzina rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa rreth 10 mijë banorë janë evakuuar paraprakisht si masë sigurie.
Numri i viktimave ende duhet të verifikohet nga agjencia kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive, e cila mbledh dhe konfirmon raportet nga burime të ndryshme lokale. Një përditësim zyrtar pritet të publikohet në ditët në vijim.
Autoritetet lokale në provincën bregdetare Sarangani, rreth 20 kilometra nga epiqendra e tërmetit, njoftuan se 17 persona kanë humbur jetën atje, shumë prej tyre si pasojë e një rrëshqitjeje dheu. Tërmeti shkaktoi ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe rrjeteve të komunikimit në Sarangani, por shërbimet u rikthyen më vonë.
Në qytetin General Santos, më i afërti me epiqendrën, 10 persona humbën jetën, sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile. Ndërkohë, 22 persona rezultojnë ende të zhdukur.
