Botë
Tramp: Jemi pranë marrëveshjes me Iranin
09.06.2026 11:24
Tramp është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin..

Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke deklaruar se negociatat ndodhen në fazat përfundimtare dhe se Teheranit nuk do t’i lejohet të sigurojë armë bërthamore. Trampi tha se tensionet mes Izraelit dhe Iranit duket se po zbuten përkohësisht pas shkëmbimit të fundit të sulmeve.
Ai bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, duke shtuar se të dyja palët mund të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Pata një bisedë shumë të mirë me të. Ai u godit dhe u kundërpërgjigj. Nuk mund ta fajësoj për këtë. Tani ata e konsiderojnë çështjen të mbyllur dhe ka gjasa ta lënë njëri-tjetrin rehat për rreth një javë ose më shumë.”, deklaroi Tramp.
Ai theksoi se ShBA-ja ka kapacitetin për të intensifikuar operacionet ushtarake kundër Iranit, por beson se diplomacia është rruga më efektive. Presidenti amerikan argumentoi gjithashtu se presioni ekonomik dhe bllokadat kanë qenë më efektive sesa veprimet ushtarake, duke shtuar se ekonomia iraniane po përballet me vështirësi të mëdha dhe se kjo po e shtyn Teheranin drejt një marrëveshjeje. Në fund, Trampi konfirmoi se dy anëtarët e ekuipazhit të helikopterit ushtarak amerikan Apaçe, i cili u rrëzua pranë Ngushticës së Hormuzit, janë shpëtuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
