Maqedoni

MPB forcon luftën kundër migrimit të paligjshëm, policia pajiset me automjete dhe teknologji të re

09.06.2026 13:53

MPB-ja po modernizohet edhe më tej me automjete të reja dhe pajisje të specializuara moderne...

MPB-ja po modernizohet edhe më tej me automjete të reja dhe pajisje të specializuara moderne, të siguruara përmes projektit rajonal “EU 4 FAST” me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për katër automjete terreni, tre furgonë policorë, kamera vëzhgimi, detektorë për zbulimin e rrahjeve të zemrës dhe pajisje për verifikimin e dokumenteve. Këto mjete do të rrisin ndjeshëm mobilitetin e policisë, do të forcojnë kontrollin kufitar dhe do të mundësojnë një luftë më efikase kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ministri Pançe Toshkovski, i cili pranoi këto automjete dhe pajisje moderne, tha se ato do të vihen menjëherë në funksion dhe do të përdoren nga njësitë e xhandarmërisë.
 
“Jetojmë në një kohë komplekse gjeopolitike, e cila kërkon vigjilencë maksimale dhe koordinim të plotë të strukturave të sigurisë. Kufijtë tanë janë pjesë e barabartë e arkitekturës së sigurisë së kontinentit evropian, ndërsa institucionet tona ndodhen në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta evropiane. Prandaj, çdo investim në modernizimin e shërbimeve tona të sigurisë është njëkohësisht investim në paqen dhe stabilitetin e gjithë hapësirës evropiane.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
MPB-ja, tha Toshkovski, vazhdon të veprojë me një qasje multidisiplinare dhe humane në çdo operacion. Sipas tij, migrimi i paligjshëm nëpër kufijtë e vendit është në rënie.
 
“Nga viti në vit shifrat po ulen, përkatësisht në dy-tre vitet e fundit është vërejtur një trend i rënies së numrit të emigrantëve të paligjshëm që tranzitojnë nëpër territorin e vendit. Për këtë arsye mund të themi se kemi përmirësim të gjendjes.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
Projekti “EU 4 FAST” mbështet institucionet partnere në rajon në forcimin e parandalimit, hetimit dhe ndjekjes penale të kryerësve, si dhe në mbrojtjen e viktimave përmes një qasjeje të kombinuar që përfshin trajnime, asistencë teknike, furnizim me pajisje dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
 
REXHEP QAMILI