Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Rezultati përfundimtar nga fundi i qershorit

09.06.2026 14:48

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vazhdon numërimin e votave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vazhdon numërimin e votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi i numërimit po shkon mirë, por shpallja e rezultateve përfundimtare pritet nga fundi i qershorit apo në fillim të korrikut, pasi duhet të numërohen edhe mbi 100 mijë vota të diasporës.                                                          

“Sipas planit operacional është data 6 korrik, por unë besoj se kah fundi i qershorit do të jemi gati me gjithë rezultatin. Keni parasysh se votat e diasporës duhet të vlerësohen fillimisht, fjala është për votat me postë. Edhe ajo do të marrë një kohë deri sa të përfundojë numërimi. Dhe rinumërimi i 10% i gjithë Kosovës do të marrë disa ditë, andaj unë do të thoja nga fundi i qershorit apo fillimi i korrikut do të përfundojë dhe jemi gati me rezultat.”, - deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Diplomatët në Prishtinë, formoni institucionet dhe vazhdoni reformat

Procesi zgjedhor në Kosovë po ndiqet edhe nga diplomatët ndërkombëtar. Eva Palatova, ushtruese e detyrës së shefes së zyrës së BE-së në Prishtinë, dhe ambasadori britanik, Xhonatan Hargraves, kanë kërkuar formimin e institucioneve sa më parë, që vendi t’i vazhdojë reformat e nevojshme në rrugën eurointegruese.

“Në kuadër të Planit të Rritjes, 880 milionë euro gjatë tre viteve janë të gatshme të investohen në Kosovë në këmbim të reformave. Ajo që duhet të vijë tani është një përshpejtim i konsiderueshëm i ritmit të reformave. Agjenda e reformave është miratuar nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2024. Tani jemi në verën e vitit 2026 dhe po shohim skadimin e periudhës së parë të tolerancës, ku për herë të parë do të mund të masim formalisht se çfarë ka arritur Kosova gjatë periudhës së parë. Prandaj shpresojmë shumë që institucionet politike të Kosovës së shpejti do të bëhen plotësisht funksionale në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky potencial.”, - theksoi u.d. ambasadorja e BE-së në Prishtinë, Eva Palatova.

“Është e qartë se cilat do qofshin rezultatet e sakta të këtij procesi, do të jetë e nevojshme të ketë bashkëpunim mes partive politike. Ky vend ka një kushtetutë të fortë, e cila i ka shërbyer shumë mirë gjatë 18 viteve të fundit dhe ajo kërkon që politikanët të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Ata duhet të bëhen bashkë për të formuar një kuvend, një qeveri dhe për të zgjedhur një president. Kjo është ajo që shpresoj se do të ndodhë sapo rezultatet të bëhen të qarta.”, - u shpreh ambasadori i Britanisë në Prishtinë, Xhonatan Hargraves.

Sipas rezultateve të para, pa përfshirë këtu votat e diasporës, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 43% të votave, PDK 21.12 për qind, LDK 17.58 dhe Aleanca 7.16 për qind të votave. (Gyltene Sinani, TVM2)