Maqedoni
Konferencë për transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup
10.06.2026 10:01
Ambasada amerikane dhe Byroja për Hapësirë Kibernetike e Departamentit të Shtetit janë organizatorë të konferencës dyditore rajonale “Akselerator për transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor”...

Me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, Ambasada amerikane dhe Byroja për Hapësirë Kibernetike e Departamentit të Shtetit janë organizatorë të konferencës dyditore rajonale “Akselerator për transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor” në Shkup.
Konferenca do të sigurojë platformë për identifikimin, diskutimin dhe përballjen me mundësitë dhe sfidat që e formësojnë peizazhin digjital të Ballkanit Perëndimor, me fokus në avancimin e transformimit digjital, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e ekosistemeve digjitale të sigurta dhe rezistente.
Konferencën do ta hapin ushtruesja e detyrës shefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së, Nikol Varns, dhe ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski. Në konferencë marrin pjesë përfaqësues qeveritarë dhe ekspertë teknikë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, si dhe kompani udhëheqëse amerikane të industrisë, me qëllim avancimin e partneriteteve që mbrojnë sovranitetin digjital dhe forcojnë ekonomitë.
