Maqedoni

Përfundon viti shkollor, nxënësit nisin pushimin veror

10.06.2026 10:44

Sot është dita e fundit e mësimit për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut për vitin shkollor 2025/2026...

Sot është dita e fundit e mësimit për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut për vitin shkollor 2025/2026. Ata do të jenë në pushim veror deri më 31 gusht.

Për më shumë se 14.500 maturantë, mësimi ka përfunduar më 15 maj. Nesër kandidatët e regjistruar për maturën shtetërore do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm ekstern nga gjuha amtare (maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht), ndërsa kandidatët për maturën shtetërore profesionale dhe atë artistike do ta japin provimin më 12 qershor. Pjesën e parë të provimit zgjedhor ekstern maturantët e zhvilluan më 6 qershor.
 
Nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar për maturë, 12.184 janë paraqitur për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike.
 
Ndërkohë, nxënësit që përfundojnë arsimin fillor këtë muaj duhet të regjistrohen në vitin e parë të shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, duke përdorur llogaritë personale të nxënësve në schools.mk, ndërsa më pas dokumentacioni i nevojshëm do të dorëzohet në shkollat ku ata konkurrojnë.