Maqedoni

Ballkani Perëndimor në epokën digjitale, Birkland: Teknologji të sigurta për zhvillim

10.06.2026 14:14

Transformimi digjital është i patjetërsueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor...

Transformimi digjital është i patjetërsueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, vlerësojnë ekspertët amerikanë të pranishëm në konferencën dyditore “Përshpejtuesi i Transformimit Digjital të Ballkanit Perëndimor” në Shkup. Në epokën e inteligjencës artificiale shtetet duhet ta shfrytëzojnë këtë moment, porosisin ata, përndryshe nuk do të zhvillohen.
 
“Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perëndimor ndodhen përpara një momenti vendimtar. Revolucioni i inteligjencës artificiale tashmë ka filluar. Ritmi dhe niveli i ndryshimeve do të jenë të papara deri më sot. Vendet duhet të vendosin, ose të marrin pjesë, ose të mbeten pas. Ky është një vendim që do ta formësojë shoqërinë në dekadat e ardhshme. Shtetet duhet të reagojnë shpejt për të pasur sukses që në përpjekjen e parë. Duhet të vendosni themelet me teknologji të besueshme që ofrojnë siguri, qëndrueshmëri dhe transparencë. Partneriteti me kompanitë amerikane të IT-së do të mundësojë aplikacione të inteligjencës artificiale që krijojnë vende pune dhe sjellin rritje ekonomike, siguri dhe prosperitet.”, - deklaroi zyrtari ekonomik në Ambasadën e ShBA-së, Barnabas Birkland.
 
Andonovski: Synojmë integrimin digjital
 
Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, tha se kjo platformë do të shërbejë për avancimin e transformimit digjital, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e ekosistemeve digjitale të sigurta dhe të qëndrueshme.
 
“Ne kemi kapacitete njerëzore, kompani dinamike të IT-së dhe ambicie për të qenë plotësisht të integruar në hapësirën digjitale evropiane dhe transatlantike. Por vetëm ambicia nuk mjafton. Na nevojitet infrastrukturë e besueshme, rregullore e mirë, sisteme të sigurta dhe partneritet i besueshëm me aleatët demokratikë dhe kompanitë e IT-së. Prandaj, inovacionet na duhen tani më shumë se kurrë.”, - theksoi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski. 
 
ShBA-ja, me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë, organizon një konferencë për përshpejtimin e transformimit digjital të partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Konferenca synon të ofrojë një platformë për identifikimin e sfidave dhe mundësive, avancimin e transformimit digjital, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e sistemeve digjitale të sigurta dhe të qëndrueshme.
 
ARMEND MURSELI