Botë

Lindja e Mesme, përsëri tensione në relacionin ShBA - Iran

10.06.2026 14:56

Irani “ka vonuar shumë për të negociuar” një marrëveshje paqeje dhe “tani do të duhet të paguajë çmimin”....

Irani “ka vonuar shumë për të negociuar” një marrëveshje paqeje dhe “tani do të duhet të paguajë çmimin”. Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Donald Tramp, në një postim në rrjetin e tij Social Truth, ku presidenti Tramp thotë se Irani “thjesht fliste dhe nuk bënte asgjë”, duke shtuar: “Ngacmuesi i Lindjes së Mesme është i vdekur.”. Paraprakisht ShBA-ja tha se goditi Iranin si përgjigje e rrëzimit të një helikopteri të ushtrisë amerikane në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani u hakmor me sulme ndaj bazave amerikane në Bahrein, Jordani dhe Kuvajt. 
 
“Operacioni është një përgjigje proporcionale ndaj agresionit të pajustifikuar iranian.”, njoftoi Komanda Qendrore e ShBA-së.
 
Teherani bëri të ditur se gjatë sulmeve u goditën edhe dy rezervuarë uji, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit, ndërsa më pas pasuan sulme hakmarrëse ndaj objektivave amerikane në Bahrein, Jordani dhe Kuvajt. Ministri i Jashtëm iranian, Aragçi, deklaroi se asnjë sulm amerikan nuk do të mbetet “pa përgjigje”. 
 
“Ministri i Jashtëm paralajmëroi për çdo gabim të mundshëm armiqësor në Gjirin Persik dhe tha: Ne preferojmë diplomacinë, por dimë të flasim edhe në gjuhë të tjera. Forcat e huaja pranë territorit tonë janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj rrezikut për shkak të gabimeve njerëzore ose aksidenteve. Zgjidhja më e mirë është që ato të largohen nga rajoni.”, citohet nga shefi i diplomacisë iraniane, Televizioni Shtetëror i Iranit. 
 
Por, më i matur ka qenë rezidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, i cili ka deklaruar se Teherani dhe Uashingtoni duhet të dalin nga gjendja e “as luftës dhe as paqes” dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut. Sipas mediave iraniane, Pezeshkian tha se alternativa e vetme për tejkalimin e tensioneve aktuale është negociata, duke theksuar se udhëheqja iraniane ka mbështetur vazhdimin e bisedimeve me ShBA-në. Paraprakisht zëvendëspresidenti amerikan shprehu besimin se një marrëveshje me Iranin për programin bërthamor mund të arrihet “që javën e ardhshme”.
 
“Aktualisht jemi në pozitë për të arritur një marrëveshje që është e mirë për ShBA-në dhe që trajton programin bërthamor iranian në afat të gjatë, në mënyrë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Jemi shumë afër këtij qëllimi. Marrëveshja mund të ndodhë javën e ardhshme, por mund të ndodhë edhe pas disa muajsh.”, - theksoi zëvendëspresidenti i ShBA-së, Xhej Di Vans.
 
Zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshi edhe sanksionet dhe programi bërthamor iranian, ishin temë diskutimi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kina akuzoi ShBA-në për kryerjen e sulmeve derisa zhvillohen bisedimet. 
 
“Me tërheqjen e ShBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe përdorimin dy herë të forcës kundër Iranit ndërkohë që negociatat ishin në vazhdim, ShBA-ja ka minuar seriozisht përpjekjet diplomatike.”, - u shpreh zëvendëspërfaqësuesi i Kinës në OKB, Sun Lei. 
 
Franca bëri thirrje për një marrëveshje që do të parandalonte Iranin të sigurojë armë bërthamore.
 
“Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij dhe nuk po bashkëpunon me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, e cila nuk është në gjendje të konfirmojë se programi bërthamor iranian është ekskluzivisht paqësor. Nevojitet një marrëveshje e besueshme, e fortë dhe e verifikueshme për të siguruar që Irani të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore.”, - theksoi përfaqësuesi i Francës në OKB, Zherom Bonafon.
 
Edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka përsëritur qëndrimin se Teherani nuk duhet të lejohet kurrë të zotërojë armë bërthamore. Në një postim në platformën X, kryeministri izraelit sulmoi edhe presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, të cilin e cilësoi si një “tiran antisemit”. Deklarata e Netanjahut duket se erdhi si kundërpërgjigje ndaj komenteve të mëparshme të Erdoganit, i cili kishte dënuar veprimet ushtarake të Izraelit dhe atë që e quajti “agresion” ndaj Iranit.
 
SANIJE DURAKU