KQZ: Janë refuzuar 142 pako votash nga diaspora
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve...

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga votat e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë votuar brenda vendit. Ndërsa Qendrat e numërimit janë të angazhuara edhe në vlerësimin e pakove me fletëvotime nga diaspora.
Deri më tani janë refuzuar 142 pako nga diaspora, bën të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë, prej të cilave janë aprovuar 7.153, ndërkaq janë refuzuar 142. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja, ku regjistrohet si votues jashtë Kosovës. Ky proces ka filluar më 9 qershor dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar.”, - deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi tha se pasi të përfundojnë proceset verifikuese në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të nisë numërimi i rreth 100 mijë votave të diasporës. Po ashtu mbeten për t’u numëruar edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Numërimi i tërësishëm i votave pritet t’i marrë kohë KQZ-së deri në fund të qershorit apo në fillim të korrikut, kur pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për t’i hapur rrugë konstituimit të institucioneve, përkatësisht, Kuvendit, Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
