Maqedoni

Vazhdojnë përplasjet politike, VLEN: BDI në vitin 2010 votoi për gjuhën serbe

10.06.2026 15:05

Përplasjet politike mes VLEN-it dhe BDI-së për çështjet gjuhësore vazhdojnë të intensifikohen....

Përplasjet politike mes VLEN-it dhe BDI-së për çështjet gjuhësore vazhdojnë të intensifikohen. VLEN-i akuzon BDI-në se në vitin 2010 ka mbështetur futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës, duke publikuar, siç thonë ata, dokumente që e dëshmojnë këtë vendim. Sipas VLEN-it, BDI ende nuk ka dhënë përgjigje për dokumentin e publikuar dhe po shmang përballjen me faktet.
 
"Kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumentit që dëshmon se pikërisht BDI-ja, në vitin 2010, votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës. Deri më tani, BDI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë fakt. Nuk e mohuan dokumentin, nuk e mohuan vendimin, nuk e mohuan votën e tyre. Zgjodhën heshtjen.", - deklaroi Afan Elezi nga VLEN.
 
BDI: Qeveria po e degradon gjuhën shqipe
 
Nga ana tjetër, BDI ka reaguar duke e zhvendosur debatin te zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke akuzuar Qeverinë se po e shkel ligjin dhe po e degradon përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Partia opozitare ka përmendur si shembull një mbishkrim në një departament të Institutit për Shëndet Publik, i cili sipas tyre është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase. 
 
"Rasti i djeshëm, ku ministri i Shëndetësisë promovoi një mbishkrim vetëm në gjuhën maqedonase, është dëshmi e qartë e nëpërkëmbjes së gjuhës shqipe dhe e shkeljes së ligjit në fuqi. Në kohën e BDI-së mbishkrimet ishin vendosur në dy gjuhë, në përputhje me ligjin dhe me frymën e barazisë institucionale.", thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
Partia e Ali Ahmetit gjithashtu akuzon pushtetin për keqpërdorim të pozitave zyrtare dhe shndërrimit të institucioneve në instrumente të presionit politik. 
 
ERSAN PAJAZITI